Traktati i Anëtarësimit, Brukseli e ka ndarë mendjen, Shqipëria në BE!
Nga Jakin Marena
Para disa ditësh në pak media qarkulloi një lajm i mirë për Shqipërinë, i cili vinte nga Brukseli.
Bëhej fjalë për integrimin evropian, teksa Shqipëria do të hyjë në një fazë vendimtare, ku në vitin 2027 do të nisë përgatitja dhe hartimi i Traktatit të Anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Një moment historik ky, pasi përgatitja e Traktatit të Anëtarësimit shënon fillimin e fazës finale të rrugëtimit drejt integrimit zyrtar të Shqipërisë në BE. Ndërkohë që ky hap vjen pas një dekade reformash tepër të vështira, përfshirë këtu reformën në drejtësi dhe sektorë të tjerë kyç, si dhe të ecurisë perfekte të Shqipërisë në hapjen e mbylljen e kapitujve të negociatave me BE. Ku edhe këtë të enjte Irlanda, si drejtuese e radhës e presidencës së BE, konfirmoi mbylljen e 6 kapitujve të tjerë të negociatave, deri në fund të këtij viti.
“Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”! Kjo është fjalia historike dhe magjike e Raportit të Zgjerimit të BE. E tek togëfjalëshi ‘Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë’, është dhe thelbi i arritjeve dhe i përgjegjësisë së Shqipërisë, për të mos lejuar që asgjë, askush, asnjë grusht gurësh apo shishe molotovi, topa balte apo plehrash gjithëfarëlloji, të shmangin shqiptarët nga misioni historik i Shqipërisë, për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në vitin 2030!
Ky ishte një lajm me të vërtetë i shumëpritur për shqiptarët, por që për hir të së vërtetës kaloi si në hije dhe nuk u tregua shumë interes nga ana e mediave. Vetëm kreu i qeverisë Edi Rama, e përmendi disa herë, jo vetëm në qëndrimet e tij zyrtare, por dhe nëpër intervistat për mediat vendase e të huaja, ku nënvizoi rëndësinë historike që ka për Shqipërinë, Traktati i Anëtarësimit!
Ndërkohë që vlerësimet maksimale për Shqipërinë, si e para në listën e vendeve kandidate, pas Malit të Zi, për procesin e integrimit, kanë ardhur nga vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila nënvizoi se ‘talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Po bëhen hapa të mëdhenj para. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”.
Duke u rikonfirmuar në fund të herës edhe nga presidentja e KE fakti se, Unioni ka filluar përgatitjet për Traktatin e anëtarësimit për në BE për Shqipërinë, i cili pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, bashkë edhe me mbylljen e negociatave të Shqipërisë, po në vitin 2027!
Nga ana tjetër, komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se zgjerimi i BE është rikthyer në qendër të debatit politik dhe se rezultatet e arritura gjatë këtij viti janë më të mëdha se në 25 vitet e fundit. Por ajo paralajmëroi gjithashtu për përpjekjet e aktorëve kundërshtarë për të dëmtuar vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, duke nënvizuar se BE nuk do të lejojë që këto përpjekje të pengojnë procesin e zgjerimit. “Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim, por ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, garantoi Kos.
Një qëndrim unanim ky i zyrtarëve më të lartë të BE, por dhe i vetë Komisionit Evropian, i cili e vë Shqipërinë në krye të listës së vendeve kandidate për anëtarësim të sigurtë në BE! Madje dhe sipas afateve të mirëpërcaktuara nga vetë ata, në fund të 2027 mbyllen negociatat e deri në vitin 2030 merret vendimi final për anëtarësimin! Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë për vendin tonë!
Njëherësh ky është dhe një sinjal i qartë për të gjithë ata kundërshtarë të ‘paepur’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke filluar që nga vende të tilla si Rusia dhe përfunduar tek disa vende, tek tuk të rajonit, të cilave fakti që Shqipëria do të jetë së shpejti anëtare e BE nuk u vjen fort për ‘osh’. Prandaj kanë mbështetur me para por edhe me burime njerëzore, çdo lëvizje kundër këtij procesi jetik dhe të dëshiruar të shqiptarëve për jetë e mot!
Mesazhi se Brukseli e ka ndarë mendjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për shkak të progresit të madh që ka bërë në reformat integruese në vend, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, stabilitetin e rritjen ekonomike, por dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në rajon si një aleat i sigurtë i NATO-s dhe vetë BE-së, një faktor stabiliteti dhe pikë reference për aleatët tanë të mëdhenj pasi Shqipëria është vendi më stabël i Ballkanit Perëndimor, duket se ka lënë ‘pa tekst’ dhe këta ‘mëtonjësit’ shqiptarë të pushtetit, të cilët përmes dhunës kërkojnë rrëzimin e qeverisë aktuale!
Mëse njëherë, kreu i PD Sali Berisha i ka bërë thirrje Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe të gjitha shteteve anëtare të BE që të refuzojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nën akuzën se në krye ka një qeverisje kriminale, e cila e ka kthyer vendin në një ‘narkoshtet në zemër të Evropës’! Sipas Berishës e opozitës në tërësi, Shqipëria nuk i plotëson asnjë nga kushtet për t’u anëtarësuar në BE, dhe vetëm largimi i Edi Ramës do ta hapte këtë rrugë! Madje më se njëherë lideri 82 vjeçar i opozitës ka marrë rrugët e Brukselit, Strasburgut dhe Berlinit, në kërkim të një mbështetjeje për të shtyrë anëtarësimin në BE e për të detyruar Ramën të largohet nga pushteti!
Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ky konglomerati i protestuesve të dhunshëm në bulevardin e Tiranës, të cilët të përbërë nga islami politik, neomarksistët, ‘guerrilasit’ e Albin Kurtit, Sali Berishës e të VLEN, si dhe të këtyre celulave islamike shqiptare e të rajonit, të shpallura, madje dhe të shpallura si organizata terroriste nga Egjipti, pa përjashtuar këtu të miturit dhe grupet vulnerabël të Tiranës e rrethinave, të cilët, të gjithë bashkë e të maskuar, thyen, shkatërruan, vodhën dhe dogjën institucionet e shtetit, bizneset, bankat, gjykatat, shkulën semaforët e kamerat e sigurisë, dogjën stolat e stacionit të autobusëve e deri selinë e Vatikanit në Tiranë!
Ndonëse janë shprehur dhe publikisht se nuk e dëshirojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, apo se Shqipëria nuk e meriton të jetë në BE, me dhunën e ushtruar në Tiranë, që përmes rrjeteve sociale e me ndihmën e rusëve dhe iranianëve e shumëfishuan dhe e shpërndanë anë e mbanë botës, donin të tregonin në sytë e botës se Shqipëria po digjet dhe për këtë arsye nuk mundet asesi të mendohet në këto momente për anëtarësim në BE! Për më tepër që me kërkesat e tyre, për dorëheqje të qeverisë, ‘ristart’ nga e para i politikës, sigurisë dhe ekonomisë, po tentohet rikthimi i vendit, në ‘epokën e gurit’! Anipse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në BE.
Pavarësisht gjithë këtyre pengesave për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit të saj në familjen evropiane, një ëndërr e kahershme kjo e shqiptarëve që rrëzuan edhe komunizmin nën thirrjen ‘E duam Shqipërinë, si gjithë Evropa’, institucionet evropiane, duke filluar nga Komisioni Evropian e deri te Parlamenti Evropian, bashkë dhe me lidershipin e tyre, por dhe të liderëve të vendeve anëtare të BE, e kanë mbështetur fort dhe pa asnjë ekuivok qeverinë shqiptare në rrugën e saj të përmbushjes së kushteve për Shqipërinë, duke e vlerësuar si vendin me suksesin më impresionues në reformat integruese dhe në krye të listës për anëtarësim, pas Malit të Zi!
Këtë vlerësim dhe këtë mbështetje për Shqipërinë, madje duke përcaktuar vetë ata edhe data tashmë, e kanë konfirmuar në vizitat që kanë realizuar në Tiranë por dhe në takimet dhe forumet në Bruksel dhe kryeqendra të tjera evropiane, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë pjesëmarrës e në panel! Edhe këtë të enjte, është në Berlin tashmë, në takimin e ‘Koalicionit të Vullnetmirëve’, si një partner serioz, dhe i vetëm i BE dhe NATO-s në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar pikërisht për sigurinë. Madje Rama ka mbajtur fjalën e tij. Por. Për koencidencë, në Berlin është dhe Jared Kushner, i dërguari i presidentit amerikan Trump, njëherësh dhe dhëndri i tij i preferuar, i cili zhvilloi një takim me kancelarin gjerman, Merz!
Lidershipi i BE e ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve me maska në Tiranë, teksa u është bërë e qartë se përmes dhunës nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi politik në Shqipëri. Për më tepër që është e bërë e qartë më se njëherë, madje publikisht dhe me zë të fortë nga liderët e BE dhe të Komisionit Evropian, se Shqipëria jo vetëm që nuk është vend në krizë apo siç thotë Berisha ‘një narkoshtet’, por është një vend me arritje domethënëse në të gjitha fushat, dhe gati për anëtarësim të shpejtë në BE, duke vlerësuar në këtë mënyrë reformat nën drejtimin e qeverisë aktuale të Edi Ramës! Pra, procesi nuk ndalet!
Dhe si për ta ‘çimentuar’ më fort këtë qëndrim, këtë të enjte, kanë startuar dy marrëveshje të rëndësishme investimi, që janë nënshkruar në Samitin e Varshavës për energjinë, të cilat janë njoftuar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë! Marrëveshja e parë ka të bëjë me projektin e gazsjellësit që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, me synim ndërlidhjen e tyre me TAP-in. Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me palën amerikane për këtë nismë, ku nënvizohet si zhvillim pozitiv përfshirja e SHBA dhe vlerësimi i projektit si një nyje strategjike në rajon.
Marrëveshja e dytë lidhet me vijimin e projektit të HEC-it të Skavicës. Ku Shqipëria, në bashkëpunim me kompaninë Bechtel, po zhvillon dhe po përmbyll studimet e nevojshme mjedisore të fizibilitetit, ndërsa po vlerësohen elementët e tjerë teknikë me qëllim që projekti të bëhet i financueshëm. Po ashtu, investime në energjetike ka bërë dhe Gjermania! Kjo tregon qartë stabilitetin dhe rolin e fortë të Shqipërisë në rajon, si një vend i sigurtë dhe partner serioz për investime të mëdha! SHBA, Gjermania dhe vendet e BE-së nuk hedhin miliona euro investime në vende me rrezik, të kuptohemi, por në një vend që së shpejti është anëtar i BE.
Ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata, faktorë të brendshëm apo të jashtëm, që janë kundër anëtarësimit në BE, se, edhe sikur ‘t’i dalë flaka’, Brukseli e ka ndarë mendjen që Shqipëria të anëtarësohet në Union! Pasi Brukseli është i bindur se Shqipëria e meriton këtë anëtarësim më shumë se sa të gjithë. Për më tepër që vendi ynë ka punuar fort, duke realizuar të gjitha reformat integruese! Traktati i Anëtarësimit i Shqipërisë në BE deri në fund të vitit 2027 e konfirmon këtë qëndrim të prerë dhe të palëkundur të Brukselit, pavarësisht përpjekjeve sabotuese në këtë vend!
Këtë fakt e kanë kuptuar edhe Berisha, Albini, islami politik, neomarksistët dhe mbështetësit e tyre, të dukshëm dhe të padukshëm, prandaj janë të stresuar. Janë aq të frustuar, sa bëjnë thirrje që me çdo kusht të krijojnë destabilizim në Tiranë dhe në të gjithë vendin, duke caktuar data për protesta të dhunshme ‘mbarëkombëtare’, pavarësisht se nuk u vijnë njerëz në fakt, e duke tentuar të krijojnë përshtypjen se më 28 nëntor, përmes dhunës, do t’i vënë flakën kryeqytetit, si ‘shansi i fundit për të rrëzuar Edi Ramën’, pasi sipas tyre, ‘nëse kjo qeveri arrin të mbyllë kapitujt e negociatave me BE në 2027, si dhe anëtarësimin në BE në 2030, atëherë PS nuk lëviz edhe për një dekadë nga pushteti’! Por Tirana e ka refuzuar në të gjitha herët dhunën, Shqipëria po e po.
Ajo që mund të themi është se, është një lodhje e kotë dhe para e shkuar dëm e gjithë kjo mënyrë e nxirjes së Shqipërisë në sytë e botës, e shkatërrimit dhe djegies së Tiranës, por edhe thirrja në ndihmë për të qenë prezentë në Tiranë dhe bashkimin e forcave për shkatërrimin e tërë vendit, me botën e nëndheshme dhe të errët të krimit, islamit politik, neomarksistëve, izolacionistëve, guerrilsave të të gjithë rajonit dhe më gjerë. Merreni lehtë këtë punë, asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria nuk shuhet nga disa maska e disa të paudhë, as anëtarësimi në BE nuk ndalet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.