“Travel off Path”: Riviera Shqiptare, perla e Mesdheut me ujëra bruz, thyen rekordet e turizmit edhe në vjeshtë
– Riviera Shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e udhëtarëve ndërkombëtarë edhe jashtë sezonit të verës, falë plazheve me ujëra bruz, temperaturave të ngrohta dhe çmimeve më të përballueshme.
Në një artikull të publikuar nga “Travel Off Path” veçohet Shqipëria e jugut dhe veçanërisht Ksamili si alternativa ideale kundrejt destinacioneve më të kushtueshme të Mesdheut, duke theksuar se fillimi i tetorit, ofron ende një mundësi për të shijuar detin, plazhet dhe atmosferën e qetë pas largimit të turmave të vizitorëve.
Kjo rivierë e Mesdheut, me plazhe bruz, vjeshtë të ngrohtë dhe hotele buzë detit për vetëm 35 dollarë, po thyen rekordet e turizmit.
Kudo shihen turistë që flasin për ngjyrat e vjeshtës dhe po planifikojnë udhëtime për të shijuar këtë periudhë, veshjet e trasha po rikthehen dhe parashikimet e motit po sjellin mëngjese të ftohta.
Megjithatë, sipas autorit të artikullit, vera ende nuk duket se ka përfunduar plotësisht, pasi vëmendja mbetet te dielli i ngrohtë, rëra e butë dhe plazhet me ujëra të kthjellëta.
Sipas tij, kur shumica e turistëve kërkojnë një arratisje në një vend me mot të ngrohtë para ardhjes së dimrit, zakonisht zgjedhjet e tyre nisin dhe përfundojnë në Bregun e Amalfit ose në ishujt grekë.
Sipas autorit është e kuptueshme pse këto vende janë kaq tërheqëse, pasi rrjetet sociale janë plot me pamje të fshatrave shumëngjyrëshe bregdetare, të ndërtuara në shpatet e shkëmbinjve mbi ujërat blu.
Megjithatë, mjafton të studiohen çmimet e hoteleve për tetorin, që kjo ëndërr të zbehet shpejt, pasi çmimet prej 600 apo 700 dollarësh nata edhe për një dhomë të zakonshme janë tepër të larta.
Një rivierë mesdhetare ende për t’u zbuluar
Autori tregon se prej vitesh ka kërkuar destinacione që ofrojnë bukurinë natyrore të vendeve të mëdha turistike evropiane, por pa çmimet e larta.
Sipas tij, shumë turistë amerikanë nuk e kuptojnë se një nga pjesët më të bukura të Mesdheut ndodhet në jug të Shqipërisë dhe ende nuk është zbuluar plotësisht nga turizmi ndërkombëtar.
Ai thekson se temperaturat qëndrojnë rreth 24 gradë Celsius, deri në mesin e tetorit.
Sipas tij, deti Jon shfaqet në ngjyrë blu të ndezur, ndërsa një darkë jashtë nuk kërkon shpenzime të mëdha.
Për më tepër, artikulli thekson se Shqipëria po thyen aktualisht rekordet e turizmit, ndërsa gjithnjë e më shumë vizitorë po e zbulojnë këtë destinacion.
Ksamili, perla e Rivierës Shqiptare
Sipas autorit, Ksamili është një nga destinacionet më të njohura të Rivierës Shqiptare.
Ai e përshkruan atë si një zonë bregdetare ku malet e gjelbra takohen me ujërat e qeta dhe të cekëta të detit Jon.
Sipas artikullit, fillimi i tetorit është një nga periudhat më të mira për ta vizituar Ksamilin, përpara se zona të mbyllet gradualisht për sezonin e dimrit.
Në kulmin e verës, veçanërisht në korrik, Ksamili është një destinacion shumë i frekuentuar, me bare plazhi, shezlongë privatë dhe mijëra turistë.
Por, sipas autorit, në javët e para të tetorit situata ndryshon ndjeshëm.
Turistët e shumtë të verës largohen, baret e plazhit fillojnë të mbyllen dhe zona rikthehet në një atmosferë më të qetë dhe me çmime më të përballueshme.
Si të shkoni në Rivierën Shqiptare?
Sipas “Travel Off Path”, udhëtimi drejt Rivierës Shqiptare është relativisht i lehtë, edhe nëse planifikohet në momentin e fundit.
Një nga mundësitë është Aeroporti Ndërkombëtar i Korfuzit. Turistët mund të fluturojnë drejt ishullit grek të Korfuzit, të shkojnë në port dhe më pas të marrin një traget të shpejtë drejt Shqipërisë.
Udhëtimi me traget zgjat rreth 30 deri në 60 minuta, në varësi të shërbimit.
Një tjetër mundësi është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ku vizitorët mund të mbërrijnë me fluturim direkt dhe më pas të marrin një makinë me qira për të udhëtuar drejt jugut, përmes rrugëve malore dhe bregdetare.
Artikulli përmend gjithashtu kompanitë ajrore me kosto të ulët, si “Ryanair” dhe “Wizz Air”, të cilat ofrojnë fluturime drejt këtyre dy pikave nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore.
Një bregdet me histori mijëravjeçare
Përveç plazheve, zona përreth Ksamilit ofron edhe një histori të pasur.
Sipas artikullit, tetori është një periudhë e përshtatshme për ta eksploruar atë, pasi turmat e mëdha të verës janë larguar.
Një nga pikat kryesore është Parku Kombëtar i Butrintit, vetëm rreth 10 minuta larg Ksamili me makinë.
Sipas artikullit, qyteti antik u themelua mijëra vjet më parë nga grekët e lashtë dhe më vonë u zgjerua nga romakët dhe venecianët.
Sot, Butrinti është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe ndodhet brenda një zone të gjelbër natyrore.
Artikulli thekson se vizitorët nuk kanë domosdoshmërisht nevojë, për një guidë të kushtueshme për ta vizituar.
Ata mund të shëtisin mes rrënojave, të shohin amfiteatrin antik dhe të njohin historinë e zonës në ritmin e tyre.
Në tetor, ligatinat përreth rrënojave janë më të qeta dhe mund të shihen edhe zogj shtegtarë.
Siguria dhe mikpritja
Artikulli e përshkruan bregdetin shqiptar, si një zonë të qetë për turistët dhe thekson se rastet e krimit ndaj vizitorëve janë shumë të ulëta.
Sipas tij, mikpritja është një pjesë e rëndësishme e kulturës lokale dhe vizitorët mund të shëtisin përgjatë bregdetit edhe në orët e vona të mbrëmjes.
Çmimet në Rivierën Shqiptare
Sipas “Travel Off Path”, çmimet në Rivierën Shqiptare janë dukshëm më të ulëta se në shumë destinacione të tjera të njohura mesdhetare, veçanërisht gjatë periudhës së vjeshtës, kur sezoni turistik fillon të qetësohet.
Sipas artikullit, një dhomë në një hotel të vogël ose butik buzë detit, mund të kushtojë rreth 35 deri në 60 dollarë nata, shpesh me pamje nga deti, ballkon privat dhe në distancë të shkurtër nga plazhi.
Një drekë me fruta deti të freskëta mund të kushtojë rreth 8 deri në 12 dollarë, ndërsa një birrë vendase ose një ekspres kushton rreth 1,50 deri në 2,50 dollarë.
Një mëngjes tradicional mesdhetar, me vezë të freskëta, djathë me feta, domate, kastravecë dhe produkte të pjekura, sipas artikullit, mund të kushtojë rreth 4 deri në 6 dollarë.
Ujërat bruz të Ksamilit
Përveç atmosferës së qetë të vjeshtës, atraksioni kryesor mbetet bregdeti.
Sipas artikullit, Ksamili njihet për ujërat e kthjellëta dhe me ngjyrë bruz, ndërsa përballë tij ndodhen ishujt e Ksamilit, të pabanuara.
Artikulli sugjeron që vizitorët të eksplorojnë edhe detin. Edhe pse ekskursione të mëdha me varka mund të mos funksionojnë më në tetor, sipas tij është ende e mundur të merret me qira një varkë me kapiten vendas ose një kajak.
Pas vetëm disa minutash me kajak, vizitorët mund të arrijnë në plazhet me rërë të bardhë, të rrethuara nga gjelbërimi dhe gjire me ujëra të pastra në ngjyrë bruz.
Sipas artikullit, në këtë periudhë është e mundur të notosh dhe të shijosh plazhe shumë më pak të frekuentuara.
Me largimin e turmave të verës, në tetor vizitorët mund t’i shijojnë këto vende me shumë më tepër qetësi.
Sipas artikullit, temperatura e ujit ruan ende ngrohtësinë e verës dhe qëndron rreth 22 gradë Celsius, ndërsa temperaturat gjatë ditës arrijnë rreth 23–24 gradë Celsius.
Sezoni turistik po mbyllet
Nëse vizitorët po kërkojnë një destinacion të ngrohtë dhe të përballueshëm në Mesdhe gjatë vjeshtës, artikulli sugjeron dy javët e para të tetorit, si periudhën e përshtatshme për të vizituar Ksamilin.
Sipas “Travel Off Path”, nuk këshillohet planifikimi i këtij udhëtimi në nëntor, pasi nga fundi i tetorit zona fillon të mbyllet për sezonin e dimrit, baret e plazhit largojnë pajisjet dhe moti bëhet më i ftohtë dhe me më shumë reshje. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.