“Travelbinger”: Shqipëria, udhëtim ekonomik 10-ditor pa sakrifikuar komoditetin
– Shqipëria është përfshirë gjatë viteve të fundit, në shumë lista të destinacioneve më ekonomike për t’u vizituar në Evropë, shkruan Marco Kopinke në një artikull të botuar në median amerikane, “Travelbinger”, të specializuar në turizëm, udhëtime dhe destinacione turistike.
Edhe në vitin 2026, Shqipëria mbetet një nga destinacionet me kosto të përballueshme për turistët evropianë, duke ofruar mundësi për të udhëtuar dhe për të eksploruar vendin me shpenzime relativisht të ulëta.
Në këtë kontekst, një buxhet prej 28 dollarësh në ditë përbën një mundësi interesante për të vlerësuar se sa mund të përballojë një turist gjatë qëndrimit në vend.
Ky udhëzues mbështetet në çmimet e publikuara për vitin 2026 për akomodimin, transportin, ushqimin dhe tarifat e vizitave në atraksionet turistike.
Çfarë mund të përballohet realisht me 28 dollarë në ditë?
Për të përcaktuar mundësitë që ofron ky buxhet, duhet të merren në konsideratë shpenzimet mesatare ditore.
Disa udhëzues turistikë për vitin 2026, vlerësojnë se një turist që kërkon të kufizojë shpenzimet, mund të shpenzojë rreth 30–45 euro në ditë, ndërsa sipas vlerësimeve të tjera kjo shumë varion nga 35 deri në 50 euro.
Këto përllogaritje nuk përfshijnë biletat e avionit. Në varësi të kursit të këmbimit, 28 dollarë përfaqësojnë një shumë pranë kufirit më të ulët të këtyre vlerësimeve, ose edhe më pak.
Për të respektuar këtë buxhet, vizitorët duhet të bëjnë disa zgjedhje të përcaktuara, të akomodohen në dhoma të përbashkëta në bujtina, të konsumojnë ushqime në furra buke dhe lokale ekonomike, të përdorin autobusët dhe furgonët për transport dhe të përqendrohen kryesisht, te atraksionet turistike që mund të vizitohen pa pagesë.
Në këto kushte, rehatia gjatë udhëtimit nuk lidhet me shpenzimet e larta, por me përzgjedhjen e kujdesshme të shërbimeve.
Zgjedhja e periudhës së duhur për të kufizuar shpenzimet
Periudha e udhëtimit është një nga faktorët më të rëndësishëm, që përcakton koston e qëndrimit, veçanërisht në zonat bregdetare.
Gjatë muajve korrik dhe gusht, shpenzimet ditore mund të kalojnë 120 euro, nëse në to përfshihen marrja e një makine me qira, akomodimi në hotele bregdetare dhe qëndrimi në plazh.
Edhe çmimet e makinave me qira ndryshojnë ndjeshëm në varësi të sezonit.
Në periudhat jashtë sezonit turistik, marrja me qira e një makine të vogël kushton rreth 7–20 euro në ditë, ndërsa gjatë sezonit të lartë çmimi varion nga 20 deri në 35 euro ose më shumë.
Një tjetër shembull i ndryshimeve sezonale janë shërbimet në plazhe.
Në zona si Ksamili, marrja me qira e shezlongëve kushton nga 10 deri në 25 euro në ditë, në varësi të vendndodhjes dhe periudhës së vitit.
Për këtë arsye, planifikimi i udhëtimit jashtë muajve të pikut të sezonit veror, ndihmon në shmangien e një pjese të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve.
Gjithashtu, në këtë mënyrë, turistët mund të shmangin edhe nevojën për të marrë një automjet me qira.
Një itinerar që shmang distancat e gjata
Një nga mënyrat më ekonomike për të organizuar udhëtimin është zgjedhja e një itinerari të përqendruar, i cili shmang distancat e gjata dhe shpenzimet shtesë për transportin.
Një itinerar që përfshin Tiranën, Beratin, Gjirokastrën dhe Sarandën, si dhe një vizitë ditore në Ksamil dhe Butrint, u mundëson turistëve të njihen me kryeqytetin, dy qytete pjesë të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe bregdetin jugor të vendit.
Edhe shpenzimet ditore në këto qytete rezultojnë relativisht të ulëta.
Sipas vlerësimeve, në Berat dhe Gjirokastër një turist që udhëton me buxhet të kufizuar mund të shpenzojë 25–40 euro në ditë, ndërsa në Tiranë shpenzimet llogariten nga 30 deri në 45 euro.
Përzgjedhja e distancave më të shkurtra ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e kostove të transportit.
Një turist, i cili ka publikuar përvojën e tij të udhëtimit, raporton se për një javë udhëtim me autobus nga Tirana në Berat, Gjirokastër, Sarandë, Ksamil dhe kthim në kryeqytet, ka shpenzuar gjithsej 62 dollarë për transportin.
Edhe pse kjo përllogaritje bazohet në përvojën individuale të një turisti, ajo dëshmon se shpenzimet për transportin ndërqytetës mund të mbeten në nivele të përballueshme.
Ku mund të gjendet akomodim me çmime ekonomike?
Bujtinat që ofrojnë dhoma të përbashkëta për disa persona, përbëjnë një nga alternativat kryesore për turistët që synojnë të kufizojnë shpenzimet e akomodimit.
Sipas të dhënave të platformës “Hostelworld”, çmimi mesatar për një shtrat në dhomat e përbashkëta është 12,63 euro në Tiranë, 13,24 euro në Berat dhe 12,25 euro në Gjirokastër.
Në Tiranë ofrohen edhe alternativa me çmime më të ulëta, ku akomodimi në këto ambiente nis nga 8 deri në 10 euro nata.
Një tjetër udhëzues turistik për vitin 2026, vlerëson se çmimi për një shtrat në dhomat e përbashkëta në Sarandë, Berat, Gjirokastër dhe në zonën e Bllokut në Tiranë varion zakonisht, nga 12 deri në 20 dollarë nata.
Përzgjedhja e akomodimeve me çmime më të ulëta në secilin qytet, si dhe qëndrimi për disa net radhazi, ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve mesatare për fjetjen.
Si mund të sigurohet rehatia pa shpenzime të larta?
Çmimi i akomodimit nuk është gjithmonë tregues i drejtpërdrejtë i cilësisë së shërbimit.
Për këtë arsye, vlerësimet e vizitorëve përbëjnë një element të rëndësishëm gjatë përzgjedhjes së vendqëndrimit.
Një përmbledhje e publikuar për vitin 2026 rendit “Stone City Hostel” në Gjirokastër, ku çmimet variojnë nga 14 deri në 18 euro nata dhe vlerësimi në platformën “Hostelworld” është 9,7 nga 10.
Në të njëjtën listë përfshihet edhe “Maya Hostel” në Berat, ku akomodimi kushton 15–18 euro nata dhe vlerësimi është 9,5.
Ofertat që përfshijnë mëngjesin pa pagesë përbëjnë një tjetër mundësi për të ulur shpenzimet.
“Berat Backpackers Hotel” ofron mëngjes falas, ndërsa çmimet për një shtrat në dhomat e përbashkëta nisin nga 15 dollarë.
Për turistët që dëshirojnë edhe qëndrimin në një bujtinë tradicionale, Berati paraqitet si një alternativë e përshtatshme.
Në lagjet historike të qytetit, çmimet e bujtinave variojnë nga 25 deri në 45 euro nata, shpesh duke përfshirë edhe mëngjesin.
Transporti ndërmjet qyteteve me furgonë dhe autobusë
Furgonët, të cilët shërbejnë si minibusë për transportin e përbashkët të pasagjerëve, përbëjnë një nga mënyrat kryesore të lëvizjes në Shqipëri.
Çmimet e udhëtimit variojnë nga 1 deri në 5 euro.
Ndër tarifat e zakonshme të transportit përfshihen:
Tiranë–Berat: 400–500 lekë.
Tiranë–Sarandë: 1,200–1,500 lekë.
Edhe udhëtimet ndërmjet qyteteve të jugut ofrohen me tarifa relativisht të ulëta. Për shembull, bileta e udhëtimit nga Saranda në Gjirokastër kushton rreth 3–5 euro.
Në Tiranë, bileta e transportit publik urban kushton rreth 40 lekë dhe pagesa kryhet me para në dorë te drejtuesi i autobusit.
Ushqimi me kosto të ulët
Ushqimi është një nga kategoritë, ku turistët kanë mundësinë të kufizojnë më lehtë shpenzimet gjatë udhëtimit.
Sipas vlerësimeve, një turist që udhëton me buxhet të kufizuar mund të ushqehet mirë me 15–20 euro në ditë, duke zgjedhur produkte të furrave të bukës, ushqime të shpejta dhe një vakt në restorant.
Shpenzimet mund të reduktohen më tej nëse një pjesë e vakteve përgatitet vetë.
Blerja e produkteve ushqimore në markete dhe përgatitja e vakteve kushton rreth 4–8 euro në ditë.
Edhe pijet përfaqësojnë një shpenzim relativisht të vogël.
Një kafe kushton më pak se 1,50 euro, ndërsa një vakt në restorant varion nga 5 deri në 10 euro.
Konsumimi i një mëngjesi me byrek, një dreke me produkte të blera në treg dhe një darke në restorant për disa ditë,ndihmon në uljen e shpenzimeve mesatare gjatë udhëtimit.
Atraksionet turistike që mund të vizitohen me kosto të ulët ose pa pagesë
Tarifat e hyrjes në disa prej atraksioneve kryesore turistike të Shqipërisë janë relativisht të përballueshme.
Sipas të dhënave të publikuara, bileta standarde për një vizitor të rritur në Parkun Kombëtar të Butrintit, kushton 1,000 lekë.
Një tjetër udhëzues turistik i përfshin atraksionet kryesore, mes tyre Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën, në kategorinë e vendeve me tarifa hyrjeje nga 2 deri në 5 euro.
Ndërkohë, lagjet historike të Beratit dhe Gjirokastrës mund të eksplorohen në këmbë, pa pasur nevojë për pagesë.
Turistët mund të përzgjedhin një ose dy atraksione me pagesë në secilin qytet, ndërsa pjesën tjetër të kohës ta shfrytëzojnë për të vizituar rrugicat dhe zonat historike.
Kjo mënyrë organizimi ndihmon në kufizimin e shpenzimeve, për vizitat turistike gjatë gjithë qëndrimit në vend.
Bregdeti pa shpenzimet e klubeve të plazhit
Vizita në bregdetin jugor mund të realizohet me kosto relativisht të ulët, nëse turistët shmangin shërbimet me pagesë të klubeve të plazhit.
Udhëtimi me furgon nga Saranda në Ksamil kushton rreth 1–2 euro, ndërsa itinerari nga Saranda në Butrint kushton afërsisht 2 euro.
Edhe akomodimi në Sarandë mund të jetë i përballueshëm. Një shembull është “Saranda Boutique Hostel”, ku çmimet për një shtrat në dhomat e përbashkëta nisin nga 14 euro nata.
Një nga shpenzimet që mund të ndikojë ndjeshëm në buxhetin e turistëve është marrja me qira e shezlongëve.
Në Ksamil, sipas çmimeve të cituara në artikull, një ditë qëndrimi në shezlong kushton nga 10 deri në 25 euro. Kjo shumë mund të jetë e barabartë me shpenzimet për ushqim gjatë disa ditëve.
Një alternativë më ekonomike është përdorimi i peshqirit personal dhe zgjedhja e hapësirave të plazhit ku nuk kërkohet pagesë për qëndrimin.
Në këtë mënyrë, shpenzimet e kursyera mund të përdoren për aktivitete të tjera ose për konsumimin e një vakti me prodhime deti.
Mbërritja në Shqipëri dhe mënyrat e pagesës
Shpenzimet për transportin nga aeroporti dhe kthimin drejt tij mund të ndikojnë ndjeshëm në një buxhet të kufizuar udhëtimi.
Autobusi që lidh aeroportin e Tiranës me qytetin kushton 400 lekë, ose rreth 4,50 euro. Sipas të dhënave të publikuara, ai qarkullon çdo orë, gjatë gjithë ditës dhe natës.
Në të kundërt, përdorimi i taksive nga aeroporti drejt Tiranës është dukshëm më i kushtueshëm, me tarifa që variojnë nga 20 deri në 25 euro.
Turistëve u rekomandohet të mbajnë me vete para në monedhën vendase, mundësisht në kartëmonedha me prerje të vogla.
Furgonët dhe autobusët pranojnë vetëm pagesa në para në dorë. Për udhëtimet me këto mjete, pagesat kryhen në lekë.
Në Tiranë, për lëvizjet me taksi mund të përdoret edhe aplikacioni “Bolt”, i cili përbën një alternativë të dobishme, veçanërisht gjatë orëve të vona.
Përllogaritja e shpenzimeve për 10 ditë
Sipas përllogaritjeve të artikullit, shpenzimet për një udhëtim 10-ditor në Shqipëri ndahen në disa kategori kryesore.
Akomodimi: Nëntë net në dhoma të përbashkëta, me një çmim mesatar prej rreth 11 eurosh nata, kushtojnë gjithsej afërsisht 100 euro. Kjo shumë është disi më e ulët se çmimet mesatare të publikuara nga “Hostelworld”, pasi përllogaritja mbështetet në përzgjedhjen e akomodimeve më ekonomike.
Ushqimi: Me një shpenzim mesatar prej rreth 9 eurosh në ditë, kostoja për 10 ditë arrin në afërsisht 90 euro. Kjo përputhet me vlerësimin prej 8–15 eurosh në ditë për ushqimin dhe pijet, sipas një udhëzuesi turistik të publikuar në vitin 2026.
Transporti: Kjo kategori përfshin udhëtimet Tiranë–Berat, Berat–Gjirokastër, Gjirokastër–Sarandë, vizitat në Ksamil dhe Butrint, kthimin në Tiranë, si dhe disa udhëtime brenda qyteteve. Shpenzimet e përgjithshme për transportin llogariten në rreth 42 euro.
Vizitat turistike: Për hyrjen në atraksionet turistike parashikohen rreth 10 euro. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.