CRTA: Lista e Zukorliçit e mban mandatin edhe nëse provohet blerja e votave në Aleksinac
Juristi i CRTA-s, Pavle Dimitrijević, thotë se edhe po të vërtetohen pretendimet për blerje votash në Aleksinac, lista e Usame Zukorliçit do ta ketë deputetin e saj dhe nuk do të ketë përsëritje të votimit. Sipas tij, është e rëndësishme që prokuroria ta hetojë seriozisht rastin.
Lista “Usame Zukorlić (SPP) – Lëvizja për Bashkim” do ta ruajë mandatin e deputetit edhe nëse provohet blerja e votave në vendvotimet e Aleksinacit, vlerësoi juristi i Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Pavle Dimitrijević, siç njofton Danas, duke iu referuar agjencisë Beta.
Dimitrijević, i cili foli për numrin e sotëm të gazetës Nova, tha se meqë për këtë rast nuk do të ketë drejtësi politike, është e rëndësishme që prokuroria ta hetojë seriozisht çështjen dhe të përcaktojë përgjegjësinë eventuale të pjesëmarrësve.
Ai e vlerësoi pozitiv faktin që Prokuroria Themelore Publike në Aleksinac ka hapur lëndë për rastin, duke theksuar se shqyrtimi nëse ka pasur blerje votash dhe se kush ka marrë pjesë në të është detyrë e prokurorisë.
Vëzhguesit e CRTA-s në Aleksinac morën nga anëtarë të këshillave zgjedhorë dhe nga vetë votuesit pretendime për blerje të mundshme votash në favor të listës së Zukorliçit, ndërsa vëzhguesit afatgjatë të kësaj organizate nuk kishin regjistruar asnjë aktivitet fushate të kësaj liste në këtë qytet.
Dyshtimet, sipas Dimitrijevićit, i shton fakti që në votimin e 25 tetorit lista e Zukorliçit nuk fitoi asnjë votë në Aleksinac dhe nuk kishte mbledhur atje as edhe një nënshkrim mbështetës për kandidaturën e saj. Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare u përsërit në vendvotime të veçanta në Aleksinac, Zemun, Krushevac, Novi Pazar, Suboticë dhe në 19 qytete të tjera, ndërsa partia e Zukorliçit i ka hedhur poshtë akuzat për blerje votash.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.