Bota

Tregjet rimëkëmben pasi Credit Suisse siguron një marrëveshje të madhe financimi

Tregjet e aksioneve në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani u rimëkëmbën ndërsa çmimi i aksioneve të Credit Suisse u rrit me 40%.

Credit Suisse tha se do të marrë hua deri në 50 miliardë franga (50.8 miliardë Euro) nga banka qendrore e Zvicrës, për të mbështetur financat e saj.

Frika se emetimet e Credit Suisse mund të shkaktojnë një krizë më të gjerë bankare, bëri që tregjet e aksioneve të bien të mërkurën.

Indekset kryesore të bursave në Londër, Frankfurt dhe Paris u hapën deri në 1.7% më lart.

Credit Suisse kishte kërkuar ndihmë nga Banka Kombëtare e Zvicrës, pasi zbuloi se kishte gjetur “dobësi materiale” në raportimin e saj financiar.

Kjo deklaratë bëri që aksioneri i saj më i madh, Banka Kombëtare Saudite (Saudi National Bank), të deklaronte se nuk do të blinte më shumë aksione, duke shkaktuar panik tek investitorët e tjerë.

Banka Kombëtare e Zvicrës (Swiss National Bank), banka qendrore e vendit, këmbënguli që Credit Suisse i kishte paratë që i nevojiteshin, por theksoi se ishte gati të ndërhynte dhe të ndihmonte më tej, nëse kërkohet.

Problemet në sektorin bankar, u shfaqën në SHBA javën e kaluar, me kolapsin tronditës të Silicon Valley Bank, huadhënësi i 16-të më i madh në vend, i ndjekur dy ditë më vonë nga dështimi i Signature Bank në Nju Jork.

Banka qendrore e SHBA-së ishte detyruar të ndërhynte, për të parandaluar tërheqjen e depozitave bankare, ndërsa përhapej paniku.

Z. John Gieve, ish-zëvendës guvernator në Bankën e Anglisë,tha se bankat qendrore po dërgonin një “mesazh” se probleme të tilla do të përmbaheshin dhe kontrolloheshin brenda vendit.

Ai shtoi se në rastin e Credit Suisse, kjo ka të ngjarë të jetë e mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e krizës.

‘Dobësi materiale’

Credit Suisse, e themeluar në vitin 1856, është përballur me një sërë skandalesh vitet e fundit, duke përfshirë akuzat për pastrim parash, akuza për spiunazh dhe largime të zyrtarëve të profilit të lartë.

Ajo humbi para në 2021 dhe përsëri në 2022, dhe ka paralajmëruar se nuk pret të ketë fitim deri në vitin e ardhshëm.

Shpallja e bankës të martën për “dobësi materiale”, në raportimin e saj financiar, rikthehu shqetësimet e investitorëve.

Daniel Davies, drejtor menaxhues në Frontline Analysts dhe një ish-analist në Credit Suisse, tha se “baza e klientëve milionerë dhe miliarderë të bankës, duket se ka arritur fundin e tolerancës, dhe ata kanë tërhequr para gjatë gjashtë muajve të fundit, veprim i cili filloi të ishte një tendencë në rritje”.

“Natyra e këtyre krizave, është se kur keni një depozitim të vërtetë masiv, është si një cunami, njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. E vetmja gjë që mund të bëni, është ta ndaloni atë përpara se të kthehet në një boshatisje të depozitave dhe ato që mund ta bëjnë këtë, janë bankat qendrore”.

Këto shqetësime u intensifikuan kur Banka Kombëtare Saudite, aksioneri më i madh i Credit Suisse, tha se nuk do të blinte më shumë aksione në bankën zvicerane, për arsye rregullatore.

Të mërkurën, aksionet e huadhënësit ranë, pasi bankat e tjera nxituan të tërhiqnin fondet e tyre dhe kryeministrat në Spanjë dhe Francë, folën në një përpjekje për të lehtësuar frikën.

Rënia e Silicon Valley Bank ka nxitur gjithashtu shqetësime për vlerën e obligacioneve të mbajtura nga bankat, pasi rritja e normave të interesit i bëri ato obligacione më pak të vlefshme.

Bankat qendrore në mbarë botën, duke përfshirë Rezervën Federale të SHBA-së dhe Bankën e Anglisë, kanë rritur ndjeshëm normat e interesit, ndërsa përpiqen të frenojnë normën e rritjes së çmimeve ose inflacionit.

Bankat priren të mbajnë portofole të mëdha obligacionesh dhe si rezultat, janë të rrezikuara për humbje të konsiderueshme.

Rënia e vlerës së obligacioneve të mbajtura nga bankat, nuk është domosdoshmërish problem, nëse ato nuk janë të detyruara t’i shesin ato.

Banka e Silicon Valley, e specializuar në kreditimin e kompanive teknologjike, u mbyll të premten nga rregullatorët amerikanë, në atë që u quajt dështimi më i madh i një banke amerikane, që nga viti 2008. / BBC

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button