Tremujori i parë- Rriten 13% të ardhurat nga turizmi
Të ardhurat nga turizmi në 3-mujorin e parë 2015 u rritën 13% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar dhe shërbimet e udhëtimit për turizëm u mbyllën me bilanc pozitiv prej 44 milionë euro, ndaj deficitit 22 milionë euro, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 218 milionë euro, ose 14% më pak se një vit më parë.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të 2015 eksporti i shërbimeve të udhëtimit i siguroi ekonomisë vendase rreth 262 milionë euro. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat me 58% dhe shpenzimet e shërbimeve me 62% të totalit.
Gjatë 3 muajve të parë sivjet, të ardhurat u rritën 13 %, ndërsa shpenzimet e udhëtimit u ulën me 14%, ndaj një viti më parë. Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e rritjes së shpenzimeve mesatare me7% dhe ditëqëndrimit mesatar me 3% të jorezidentëve në vend.
Numri i vizitorëve të huaj rezulton të jetë rritur me rreth 1%.