Tri rrugë se si Amerika mund të ndërhynte në krizën ukrainase
Janë me mijëra trupa të rregullt ruse në Ukrainë dhe dhjetëra mijë në kufijtë e saj me Rusinë; tashmë rreziku i një sulmi direkt nga Rusia është tejet evident. Amerika duhet urgjentisht të bashkëpunojë me partnerët e saj europianë, për të gjetur kësisoj përgjigjen më të mirë e më të efektshme ndaj këtij kërcënimi.
Duke u përballur me analizat strategjike dhe eksperiencën shumëvjeçare diplomatike, ne po sjellim këtu tri principe themelore, sipas të cilave, duhej orientuar edhe përgjigjja e Amerikës ndaj krizës ndërkombëtare.
E para: Ne rekomandojmë që amerikanët të përmbushin me seriozitet detyrimet e tyre përballë Ukrainës, të cilat ato i morën përsipër me Memorandumin e Budapestit në vitin 1994. Në atë memorandum, Rusia, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, merrnin përsipër që të mbronin sovranitetin e Ukrainës, në këmbim të tërheqjes së Ukrainës nga posedimi i armëve bërthamore sovjetike në territorin e vet shtetëror.
Synimi për çarmatimin nuklear, do të vuajë në mbarë botën, nëse Amerika i zbulon si të pavlefshme premtimet për sigurinë, që i bëhen një shteti në këmbim të çarmatimit bërthamor, përderisa ky vend është bërë tashmë një viktimë e sulmeve të fqinjit. Ne duam t’i tregojmë botës, se çarmatimi paqësor bërthamor i Ukrainës, për momentin ka mundësuar akses për armatime të tjera, të cilat ajo i ka të nevojshme me urgjencë për të mbrojtur kufijtë e saj.
Amerika duhej ta bënte të qartë se Memorandumi i Budapestit përfshin edhe furnizime me armë, ngaqë kufijtë e Ukrainës u cenuan rëndë dhe më tej kërcënohen me sulme të reja. Kjo mbështetje duhet aplikuar sa më parë dhe të përmbajë furnizime në sistemet e mbrojtjes me tanke, avionë dhe raketa. Një mbështetje e tillë do ta bënte edhe më të qartë për Kremlinin dhe aleatët e tij, çmimin e një ndërhyrjeje në qytetin-port të Mariupolit dhe në zonat e tjera, përfshirë Luhanskun dhe Donjeckun. Zoti Putin do të ndihej keq në këtë pikë.
Sondazhet e qendrës moskovite “Levada”, gjatë muajit të fundit, dëshmojnë se: mbi dy të tretat e rusëve nuk duan që ushtarët rusë të luftojnë në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara, për këtë arsye, duhej të komunikonin qartë me Moskën, se furnizimet me armë për Ukrainën do të ndërpriteshin në vend, nëse do të plotësoheshin kushtet e armëpushimit të Minskut nga Rusia: pra që të tërhiqeshin të gjithë ushtarët rusë (ata të rregulltit dhe ata vullnetarët), si dhe furnizimet ushtarake ruse nga territori i Ukrainës; dhe që Moska ta njihte kontrollin e plotë të Kievit mbi rajonin e Donbass-it, përfshirë këtu edhe një pjesë të kufirit ruso-ukrainas.
E dyta: Për të siguruar solidaritetin e Aleancës dhe për ta inkurajuar edhe më tej zotin Putin të pezullojë të gjitha veprimet luftarake, Amerika duhej ta bënte ofertën e saj të fortë negociatore, se Amerika do të shprehej kundër një anëtarësimi të Ukrainës në NATO – nëse Kremlini do të zbatonte pikat e marrëveshjes së Minskut dhe të njihte kontrollin e plotë të Kievit mbi Donbass.
Kjo ofertë do të kishte nevojë si parakusht garancinë nga Kremlini, se Ukraina e ka të drejtën të mos lidhë aleanca ushtarake me shtete europiane. Dhe se Rusia do t’i respektonte vendimet sovrane të Ukrainës dhe integritetin e saj territorial. Kjo ofertë do të sillte direkt reagimet e rusëve, se NATO-ja po zgjerohet shumë. Dhe një siguri të Rusisë për Ukrainën, se ajo do t’i respektonte kufijtë e saj, do ta garantonte shumë më tepër sigurinë e Ukrainës, duke e bërë atë më bindëse sesa një anëtarësim teorik në NATO.
Ne e kuptojmë se përse Moska është kaq e vendosur të kundërshtojë një zgjerim të NATO-s deri te dyert e shtëpisë së saj; por propozimi ynë do ta siguronte Moskën në një mënyrë të atillë, e cila nuk do ta ekspozonte sigurinë e Rusisë automatikisht mbi atë të fqinjëve të saj. Arma më e rëndësishme për mbrojtjen e Ukrainës është patriotizmi i popullit të saj. Për një popull, i cili është i bindur se një shtet sovran ukrainas, është më i miri për ta, reformat politike, që ky besim i popullsisë do të forcojë, mund të bënin shumë më tepër për pavarësinë e Ukrainës sesa furnizimet ushtarake.
E treta: Rekomandimi ynë i tretë është, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkurajojnë krerët shtetërorë ukrainas, që të përmbushin premtimet e tyre zgjedhore dhe që t’u ofrojnë ukrainasve një qeveri të besueshme, e cila do t’u shërbejë atyre më mirë në të ardhmen. Është shqetësuese se deri më tani është bërë kaq pak në drejtim të reformave, megjithëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, një shumicë e madhe u shpreh hapur për reforma thelbësore.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj europianë duhej t’i kujtonin presidentit Poroshenko dhe Kryeministrit Jacenjuk, se mbështetja jonë për ekonominë e zhvatur ukrainase do të varet nga fakti se sa shpejt dhe sa të efektshme ato do të mund të çojnë përpara një program reformash.
Marrë nga “Huffington Post”