Tronditet Fieri, gjendet i vrarë me armë zjarri “Seli i Malit”. Historia e përplasjes me “Ben Qimen”
Tronditet Fieri, vritet me armë zjarri Selami Hasani, dyshime për hakmarrje. Selami Hasani, i njohur me nofkat “Sel çami” dhe “Seli i malit” kishte lënë qelinë në vitin 2022 pas 11 vitesh burg për vrasje. Ai, njihej si armiku më i betuar i “Ben Qimes”. Baza e Sel Hasanit ishte në lagjen 1 Maji në Fier.
Historiku:
Në fillim të viteve ’90, Sel Çami ishte ndër kapobandat më të rëndësishëm të Fierit. Arben Isufaj, kishte nisur të bënte shoqëri me të edhe pse “Ben Qimja” aso kohe njihej si djalë që qëndronte larg problemeve. Ai rridhte nga një familje e rregullt. Në fillim të vitit 1994 Ben Qimja konfrontohet me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemër Yzeiri që njiheshin si djemtë e “Sel Çamit”.
Babai i Arbenit, Enver Isufaj një njeri që gëzonte reputacion në zonë, angazhohet për zgjidhjen e konfliktit. Por, Enver Isufaj do të vritej në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit. Kjo, zbulohet nga dëshmia e Bledar Kastratit disa vite më vonë, kur ai së bashku me kushëririn e Ben Qimes ranë pre e një atentati.
“Juliani dhe familja e tij kishin hasmëri me të pandehurit Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani. Vëllai i të pandehurit Selami Hasani, Ladi, kishte vrarë xhaxhanë e tij Enver Isufi dhe në këtë vrasje kishte marrë pjesë edhe Pëllumb Yzeiraj”.
Kjo ngjarje, do të ishte pikënisje e një serie të gjatë hakmarrjeje mes familjes kosovare të Ben Qimes dhe familjes came të Selami Hasanit.
“Unë njoh dhe kam pasur nëpër duar komplet kontigjentin e trafiqeve aty, të drogës kuptohet, Familjet në Fier, problem kriminalitetit është i mbështetur e zhvilluar në bazë familjare”, u shpreh Dritan Zagani, ish-shef i antidrogës në Fier.
Pasi i vranë të atin, Arben Isufaj largohet jashtë. Nga viti 1994 deri në 1998 ai nuk u shfaq në Fier. Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ben Qimja u fuqizua shumë dhe u shndërrua në furnitorin kryesor të bandës së Aldo Bares në Itali, siç u zbulua nga përgjimet.
“Fierakët këtë synuan që të ishin grosistët, tregtarët e shumicës, që të kishin kontrollin dhe atë bënë. Ku duhej ta bënin me para e bënë me para, ku duhej aleancë lidhnin aleanca, kanë qenë ndër grupet më korrekte në botën e krimit”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.