Tropoja feston Javën Kulturore Kombëtare me muzikë, valle dhe panair krijuesish nga Shqipëria dhe Kosova
Tropoja e festoi Javën Kulturore Kombëtare me këngë që kaluan nga skena te publiku, si dhe me valle që i bënë të gjithë të pranishmit të ndihen bashkë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale imazhe nga aktiviteti i cili mblodhi krijues nga të dy anët e kufirit: Shqipëria dhe Kosova. Nga hapat e K’cimit të Tropojës te këngët live, qyteti i Bajram Currit lëvizi në ritmin e Next Generation 2.0.
Në skenë u ngjitën artistë si Rovena Dilo, Alis Kallaci, Shpat Deda si edhe artistja e re Troja Bicurri. Artistët e Cirkut Kombëtar i shtuan programit një tjetër ritëm, ndërsa të rinjtë në publik kënduan bashkë me artistët dhe u hodhën në valle.
Por ky nuk ishte aktiviteti i vetëm që gjallëroi Tropojën. Në Art Market, në Muzeun e Tropojës, krijues nga Shqipëria e Kosova prezantuan piktura, punime druri, veshje dhe qeramikë. Vizitorët patën mundësi të takonin edhe artistë të tatuazhit si edhe të provonin imazhet 3D të realitetit virtual (VR).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.