FOKUS – Danimarka dhe Ruanda drejt marrëveshjes për qendrën e deportimit të emigrantëve
KOPENHAGË, 24 nëntor /ATSH-DPA/ – Danimarka ka rënë dakord të forcojë partneritetin me Ruandën, vetëm një javë pasi njoftoi nisjen e negociatave me katër vende të tjera të Bashkimit Evropian për krijimin e një qendre deportimi në këtë shtet afrikan.
“Marrëveshja synon të forcojë dialogun politik dhe të nxisë një bashkëpunim më të gjerë”, deklaroi Ministria e Jashtme daneze në një njoftim të publikuar dje.
Sipas ministrisë, kjo është marrëveshja e parë nga 12 partneritetet që Danimarka planifikon të lidhë me vende afrikane.
Bashkëpunimi mes dy vendeve do të përfshijë fusha të ndryshme, si tregtia, klima, zhvillimi i gjelbër, teknologjia, të drejtat e njeriut dhe migracioni. Palët kanë nënshkruar gjithashtu një letër qëllimi për nisjen e negociatave mbi një marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë.
Ministria e Jashtme daneze theksoi se marrëveshja përbën edhe një bazë të rëndësishme për projektin e ardhshëm të qendrës së deportimit, të cilin Danimarka, së bashku me katër vende të tjera evropiane dhe Ruandën, e njoftoi më 16 nëntor në Vjenë.
Gjermania, Austria, Greqia, Holanda dhe Danimarka planifikojnë të nisin negociatat me Ruandën për krijimin e një qendre ku do të dërgohen azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.
Synimi është që, duke filluar nga viti 2027, në këtë shtet të Afrikës Lindore të transferohen personat që duhet të largohen nga Evropa, por që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Marrëveshjet për transferimin e emigrantëve në vende të treta janë diskutuar prej vitesh dhe mbeten një çështje e debatueshme në Evropë. Në tetor, vendet anëtare të BE-së krijuan bazën ligjore për ngritjen e qendrave të deportimit jashtë territorit të Bashkimit Evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.