Trump i propozon postin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti i UFC refuzon: Nuk dua të merrem me politikë
Një moment i pazakontë është regjistruar në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti amerikan Donald Trump i ka propozuar publikisht presidentit të UFC-së, Dana White, të marrë postin e zëdhënësit të tij. Por përgjigjja e këtij të fundit ishte e prerë: nuk dëshiron të përfshihet në politikë.
Gjithçka nisi pasi Trump publikoi një mesazh në rrjetin social Truth Social, ku bëri të ditur se i kishte ofruar White një pozicion në administratën e tij. Më pas, gjatë një paraqitjeje të përbashkët në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan e pyeti sërish për këtë mundësi.
“Faleminderit për ofertën, zotëri. Nuk, nuk dua të merrem me politikë”, u përgjigj kreu i UFC-së.
Trump reagoi me humor, duke u shprehur se ishte “i shkatërruar” nga refuzimi i mikut të tij. Megjithatë, presidenti amerikan sqaroi se propozimi kishte qenë kryesisht një shaka, e lindur pas një dite të vështirë me mediat.
“Po kaloja një ditë shumë të keqe me shtypin dhe nuk e di pse, më erdhi në mendje emri i tij. Thashë se do ta bëj Dana White zëdhënësin tim të ri. E thashë dhe isha disi duke bërë shaka”, deklaroi Trump.
Edhe pse nuk pranoi të merrte një rol politik, White shfrytëzoi rastin për të dalë në podiumin e famshëm të Shtëpisë së Bardhë, duke iu drejtuar gazetarëve me humor: “Gjithmonë kam dashur ta bëj këtë. Kush e ka pyetjen e parë?”.
Por vëmendjen më të madhe e mori një pyetje për sportet luftarake. Një gazetare e pyeti nëse, në një përballje hipotetike në kafazin e UFC-së, Donald Trump apo ish-presidenti Joe Biden do të fitonte, nëse të dy do të kishin të njëjtën moshë dhe peshë.
Dana White nuk ngurroi të zgjidhte Trumpin, të cilin e përshkroi si njeriun më të fortë dhe më rezistent që kishte njohur.
“Njeriu më i fortë dhe më rezistent që kam takuar ndonjëherë në jetën time”, u shpreh White.
Ai shtoi se gjatë viteve të fundit e kishte pyetur shpesh Trumpin se përse vazhdonte të përballej me presionet dhe vështirësitë e jetës politike.
“Shumë herë gjatë tetë apo dhjetë viteve të fundit i kam thënë: ‘Pse vazhdon ta bësh këtë? Pse po e bën këtë?’. Ai është një njeri unik, një në një lloj”, deklaroi kreu i UFC-së.
Dana White është një nga figurat më të njohura të sporteve luftarake dhe drejtuesi kryesor i UFC-së. Miqësia e tij shumëvjeçare me Donald Trump është e njohur publikisht, ndërsa gjatë verës organizata zhvilloi edhe një event të veçantë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.