Trump kërcënon Iranin me goditje “shumë të rënda” nëse lidhet me incidentin e Flydubai-t
Presidenti amerikan tha se është informuar për rastin dhe se piloti i dyshuar "mund të ketë qenë" i lidhur me Iranin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Iranin me goditje “shumë të rënda” nëse Teherani rezulton i lidhur me incidentin e kompanisë Flydubai këtë javë. “Nëse Irani është i përfshirë, do të goditet shumë rëndë”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se ishte informuar hollësisht për rastin dhe se piloti i dyshuar “mund të ketë qenë” i lidhur me Iranin, siç njofton Al Jazeera.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë në kulm, pas disa muajsh lufte në rajon. Trump nuk dha detaje mbi provat që lidhin pilotin me Iranin, por paralajmëroi se përgjigjja amerikane do të ishte e ashpër nëse përfshirja iraniane konfirmohet.
Presidenti amerikan e lidhi luftën me Iranin edhe me zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, duke thënë se konflikti “duhet t’i ndihmojë” republikanët, meqenëse votuesit janë kundër zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani.
Për çmimet në rritje të naftës, Trump u shpreh optimist: “Nafta do të ulet sapo Irani të ketë mbaruar, dhe ata janë praktikisht të mbaruar. Po nxjerrim më shumë naftë nga Ngushtica e Hormuzit tani se sa para luftës. Ne e kontrollojmë ngushticën”, tha ai, duke shtuar se Teherani “ose do të nënshkruajë një marrëveshje shumë të drejtë, ose nuk do të ekzistojë më”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.