Rajoni

Tsipras refuzon në debatin televiziv koalicion me rivalin e tij

Në një debat televiziv tepër interesant, i pari i një lloji të tillë në Greqi, liderët e dy partive rivale për pushtet, Aleksis Tsipras dhe Evangelos Meimarakis kanë shigjetuar njëri-tjetrin dhe janë përpjekur gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare në vend të fitojnë votat e grekëve të pavendosur.

Përsëri përballë gjashtë gazetarëve të shquar të kanaleve private dhe drejtuesit të kanalit shteteror nga ku u zhvillua ky debat, ata kanë debatuar duke shpalosur strategjinë e partive të tyre.

Tsipras ka hedhur poshtë mundësinë e formimit të një koalicioni me rivalin e tij kryesor nëse ai fiton zgjedhjet e së dielës. Ai ka kërkuar një shans të dytë për të vazhduar të luftojë kundër varfërisë dhe korrupsionit dhe ka mbrojtur punën dhe përpjekjet e qeverisjes së tij të shkurtër dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të tretë ndihme.

“Sollëm një marrëveshje, që ka sigurisht vështirësitë e saj, por që na jep një perspektivë, një rrugëdalje, na hap rrugën drejt stabilitetit dhe rimëkëmbjes. Dhe përsa i përket momentit kritik, fakti që ju shmanga kurthit të një “Grexit” dhe të ministrit gjerman të Financave, zotit Schaueble, besoj se ishte zgjedhje e përgjegjësise kombëtare”, tha Tsipras.

Sipas burimve pranë ish-kryeministrit Tsipras, në debatin prej më shumë se dy orë e gjysmë, lideri i së majtës ka qenë fitues i mbrëmjes me qetësinë e maturinë e tij dhe me sinqeritetin për të pranuar edhe gabimet që ka bërë nga mungesa e eksperiencës dhe e situatës së vështirë gjatë negociatave.

Mendim të kundërt kanë shprehur specialistët e medias pro konservatore që kritikojnë sidomos ndryshimin e Tsipras  dhe e akuzojnë atë se solli një marrëveshje me kushte dhe masa më të ashpra për grekët.

“E pranon zoti Tsipras se ne kemi nevojë të zbatojmë reformat e përfshira në kuadër të marrëveshjes së ndihmës që ai vetë ka nënshkruar? E pranon se kemi nevojë për një politikë ristrukturimi financiar që ai vetë ka nënshkruar? Tsipras insiston, madje edhe pasi nënshkroi paketën e shpëtimit dhe sapo u bë një politikan pro kësaj marrëveshjeje, të tregojë se të gjitha masat që ai ka nënshkruar nuk janë të drejta, se janë të ashpra dhe ai nuk dëshiron t’i zbatojë ato”, tha Meimarakis, lider i Demokracisë së Re.

Beteja televizive është zhvilluar disa orë pas publikimit të një sondazhi të fundit që tregon se të dyja partitë rivale ndajnë të njëjtin numër votash, 31.6% secila.

Por nga ana tjetër, debati nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pyetjet e rëndësishme të qytetarëve për të ardhmen, ndërsa të dy liderët nuk kanë premtuar këtë herë asgjë dhe e vetmja pikë ku kanë rënë dakord ka qenë fakti se duhet të zbatojnë marrëveshjen e shpëtimit.

Të dy ata janë zotuar se nuk do të ketë zgjedhje të reja duke i hapur rrugën bashkëpunimit me partitë e tjera për një koalicion qeveritar. Debati është mbyllur me deklaratën e ish-kryeministrit Tsipras drejtuar grekëve: “Le të fitojmë të nesërmen duke i dhënë fund së djeshmes”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button