Turistët e huaj vijojnë të frekuentojnë Alpet edhe në tetor, problem mbeturinat
Edhe pse kalendari shënon tetorin, Thethi vijon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në veri të vendit. Grupet e turistëve nga vende të ndryshme të botës vazhdojnë të mbushin bujtinat dhe shtigjet e këtij fshati malor, duke dëshmuar se interesi për Alpet shqiptare nuk përfundon me muajt e verës.
Mes vizitorëve të shumtë këtë periudhë janë edhe turistët nga Izraeli, të cilët udhëtojnë në grupe të mëdha, kryesisht me makina, duke përshkuar jo vetëm Thethin, por edhe destinacione të tjera në Shqipëri. Një prej tyre tregon se është kthyer disa herë në vendin tonë, ndërsa vlerëson bukuritë natyrore dhe zhvillimin e zonës, por nënvizon nevojën për më shumë infrastrukturë dhe shërbime.
“Vij nga Izraeli për të disatën herë në Theth. Udhëtojmë në grupe me makina dhe shëtisim të gjithë Shqipërinë. Ne e adhurojmë Shqipërinë, është shumë e bukur. Na pëlqen shumë, por do të duhet të ketë më shumë facilitete, si rrugë dhe shërbime. Por është shumë bukur këtu dhe po zhvillohet”, tha një turist nga Izraeli.
Për disa prej turistëve, kjo është vizita e parë në Theth. Helena, e ardhur nga Izraeli, thotë se ajo që e ka impresionuar më shumë është natyra dhe mikpritja e banorëve. Ajo e veçon peizazhin malor, të cilin e konsideron të veçantë edhe në krahasim me destinacione të tjera që ka vizituar në botë.
“Jam Helena dhe vij nga Izraeli. Është hera e parë këtu dhe më pëlqen shumë, sidomos njerëzit janë shumë të dashur, mikpritës. Natyra këtu është diçka speciale dhe më pëlqen shumë. Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por asnjë nuk është si këtu, sidomos malet. Zoti duket sikur i ka krijuar malet vetëm për ju”, u shpreh Helena nga Izraeli.
Krahas bukurive natyrore, turistët evidentojnë edhe problematika që, sipas tyre, kërkojnë më shumë vëmendje. Një çift nga Gjermania, që viziton për herë të parë Thethin, është impresionuar nga peizazhi dhe ka vizituar edhe Syrin e Kaltër, por sugjeron që të tregohet më shumë kujdes për menaxhimin e mbetjeve.
“Është hera e parë që jemi këtu dhe vijmë nga Gjermania. Pamë Syrin e Kaltër, që është shumë i bukur. Kemi vizituar edhe jugun, por na u duk pak më shumë i zënë me njerëz. Çdo gjë është e bukur këtu, ndoshta duhet të bëjmë diçka më mirë me mbeturinat”, tha turisti.
Edhe bashkëshortja e tij vlerëson natyrën e Thethit dhe përmirësimet në infrastrukturë, të cilat, sipas saj, kanë qenë më të mira nga sa priste. Megjithatë, ajo veçon problemin e mbetjeve, të cilat, sipas saj, janë të pranishme në zona të ndryshme.
“Para se të vija këtu dëgjova disa informacione se ishte nxehtë këtu dhe kishte vështirësi me rrugët, por doli pak më mirë se prisja, pasi disa rrugë ishin bërë të reja. Problemi është i nxehti. Natyra këtu është fantastike dhe më pëlqen shumë, por ka pak problem me mbeturinat që janë prezente kudo”, u shpreh ajo.
Temperaturat e larta përtej normales së kësaj periudhe, së bashku me fluksin e vizitorëve, po bëjnë që Thethi të vijojë të jetë i frekuentuar edhe në vjeshtë. Bukuria e Alpeve dhe mikpritja e banorëve mbeten ndër arsyet kryesore që tërheqin turistë nga e gjithë bota, ndërsa infrastruktura, shërbimet dhe menaxhimi i mbetjeve vijojnë të jenë sfida për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.