“Turp për ty që nxit trazira kundër hebrenjve”: Kryeministri izraelit sulmon Mamdanin
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi ashpër në rrjetet sociale të martën kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke kundërshtuar qëndrimet e tij pro Palestinës, në një kohë kur vijon lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
“Turp për ty, zoti Mamdani”, tha Netanyahu në një videomesazh. “Turp për ty që mbështet monstrat terroriste të Hamasit, të cilët masakruan popullin tonë. Turp për ty që nxit trazira kundër hebrenjve të Nju Jorkut. Unë po vij në OKB. Do t’i tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heronj dhe duhet të të tregoj të vërtetën edhe për ty.”
Netanyahu pritet të mbërrijë në Nju Jork të enjten për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do t’i drejtohet asamblesë.
Një zëdhënës i kryebashkiakut nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Videomesazhi i Netanyahut vjen pasi Mamdani, një mbështetës i fortë i krijimit të shtetit palestinez, e cilësoi sërish kryeministrin izraelit si “kriminel lufte” dhe “arkitekt të gjenocidit” në një intervistë për CNN të hënën.
Zyrtarë të tjerë izraelitë dhe disa përfaqësues të organizatave hebraike të advokimit kanë kritikuar deklaratat e mëparshme të Mamdanit, duke thënë se ato kontribuojnë në rritjen e dhunës antisemitike.
Mamdani e ka kritikuar prej kohësh Netanyahun. Gjatë fushatës për kryetar të bashkisë, ai ishte zotuar se do ta arrestonte kryeministrin izraelit nëse ky i fundit do të vizitonte qytetin, duke iu referuar urdhër-arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më vonë, kryebashkiaku pranoi se nuk kishte kompetencë për ta bërë një arrestim të tillë, megjithëse të hënën përsëriti kritikat e tij ndaj Netanyahut.
“Nëse Gjykata Penale Ndërkombëtare e konsideron dikë të denjë për arrestim për shkelje të këtyre ligjeve, atëherë kush jemi ne për të thënë se dikush duhet të jetë mbi to?”, tha Mamdani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.