“SPAK të hetojë Gërdecin dhe 21 janarin!”- Urdhër arresti për drejtoren e SHISH, avokati: Ky është normaliteti i
Hetimin dhe urdhrin e arrestit në shtëpi të lëshuar nga SPAK ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e dyshuar për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, avokati Idajet Beqiri e sheh si një provë se Reforma në Drejtësi po funksionon në Shqipëri
Gjatë një interviste në Report TV, Beqiri ngriti tezën se Shqipëria duhet të mësohet me idenë që hetimet dhe ndëshkimet ligjore nuk janë raste të rralla si në kohën e Sali Berishës, por një normalitet. Sipas Beqirit, vendi nuk mund të ndërtojë shtet ligjor pa kaluar përmes proceseve që shpesh krijojnë debat politik dhe tronditje institucionale.
“Nuk është situatë e lehtë sepse kemi të bëjmë me dy masa sigurie për vepra penale të dyshuara ndaj 2 personave që kanë pozita kyçe në institucionet e shtetit. Të jesh kryetare e SHISH dhe nga ana tjetër të përkrahësh dikë në kryerjen e një vepre penale apo të jesh personi që dekonspiron çështje të natyrës sekrete, kjo është e rëndë, por jemi akoma në fazën e dyshimit dhe s’mund ta paragjykojmë çështjen. Populli është ngopur se mali mbarset fort por në vend që të dalë elefanti na dalin minj. Nuk duhet të bëhemi abuzivistë apo të rëndojmë situatën padrejtësisht, të fërkojmë duart duke menduar që shyqyr dolën probleme të kësaj natyre për të vjellë kundër qeverisë. Populli thotë ‘ky stan këtë bulmet ka’. Për sa kohë e pranuan reformën në drejtësi që të bëhet e natyrës që vendi të bëhet më në fund me ligj, kjo shkakton plagë, trauma të përditshme sepse vetëm kështu pastrohet terreni. Prej SPAK-ut, GJKKO-së dhe gjykatave të tjera, ne tashmë duhet të mësohemi se do të kemi ndëshkueshmëri, çuarje deri në fund të zbatimit të ligjit, dhënie drejtësie. Kthim mbrapa nuk ka!” tha avokati.
Beqiri kundërshtoi qëndrimin e opozitës duke argumentuar se po përpiqet të përfitojë politikisht nga çdo hetim, ndërkohë që ka dëshmuar mjaft qartë ndër vite qëndrimin ndaj korrupsionit apo drejtësisë.
Beqiri kërkoi që SPAK të ruajë të njëjtin standard edhe për dosjet e së shkuarës. Ai përmend 21 Janarin, Gërdecin, firmat piramidale, 14 shtatorin dhe privatizime që i cilëson kriminale, duke argumentuar se vetëm hetimi i plotë i këtyre çështjeve mund të luftojë pandëshkueshmërinë.
“Opozita e këtij vendi ka qenë pozitë 2 herë. Ata normalitet kanë quajtur korrupsionin dhe krimin. Sipas tyre, po bëre 2 prill dhe të vrasësh njerëz për të ardhur në pushtet është normale. Opozita është mësuar me 28 majin e 1986 që gjakoste opozitën dhe vidhte zgjedhjet. Ata janë mësuar me firmat piramidale ku u grabitën shqiptarëve 4 miliardë dollarë, shpallën luftë civile, armatosën PD dhe vërsulën veriun kundër jugut. Duke jetuar me këtë normalitet, dënimi i këtyre krimeve u duket jo normalitet. SPAK paralelisht sikurse po punon, duhet me çdo kusht të hedhë sytë mbrapa te ato krime që i kanë bërë gjëmën këtij vendi. Nëse nuk dënohet 21 janari dhe Berisha nuk shkon në bankën e të akuzuarve për 21 janarin, Gërdecin, firmat piramidale, grushtin e shtetit të 14 shtatorit, privatizimet kriminale të ARMO-s, Albpetrolit, hidrocentraleve e bankave, kështu nuk shkojmë asgjëkundi” tha Beqiri
Duke iu rikthyer rastit të Vlora Hysenit, Beqiri nuk e sheh si një krizë politike për mazhorancën por një tjetër provë që pandëshkueshmëria po luftohet në Shqipëri.
“Unë e konsideroj pozitivitet. Nuk është më ajo kohë që Sali Berisha merrte Metën, hanin një darkë me peshk dhe verë dhe u thoshtë gjykatësve ‘është i imi ky, e zutë me 700 mijë euro të filmuar, por duhet fshirë emri se është i imi.’ Të njëjtën gjë bëri me Lulzim Basha që ia nxorri koston e rrugës së Kombit në 4 miliardë dollarë dhe 500 mijë i futi në xhep. S’ka më kështu. Nuk të lë jo SPAKu por qeverisja, Kushtetuta, Kodi Penal dhe qytetarët që i shohin gjërat me tjetër sy”, tha Beqiri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.