TURQI – 45 të arrestuar pas një skandali financiar
STAMBOLL, 25 shtator /ATSH-AFP/ – Një total prej 45 personash janë arrestuar në Turqi në një hetim mbi një skandal që përfshin fondet e investimeve, thanë sot autoritetet turke, ndërsa ministri i Financave mohoi thashethemet për dorëheqjen e tij.
“Procedurat ligjore janë nisur kundër një totali prej 76 të dyshuarish, 45 prej të cilëve janë ndaluar,” tha ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek për X.
“Pasuritë e të gjithë pronarëve të fondeve dhe të dyshuarve që mbajnë pozicione drejtuese janë sekuestruar. Pasuritë e anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë janë ngrirë”, vazhdoi ai.
Sipas medias turke, midis të arrestuarve është Erkan Kilimci, një ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore.
Prokurorët po hetojnë aktivitetet mashtruese të 131 fondeve të investimeve në pronësi të shtatë kompanive, asetet e të cilave së bashku vlejnë më shumë se 826 miliardë lira turke (afërsisht 15 milionë euro), sipas llogaritjeve nga mediat lokale.
Të 131 fondet u vunë në likuidim më 17 shtator nga Autoriteti Turk i Tregut të Kapitalit (SPK), i cili deklaroi se ata menaxhonin asetet e më shumë se 455 000 investitorëve individualë.
Mbrëmjen e së enjtes, ministri i Financave, Mehmet Simsek i hodhi poshtë thashethemet për largimin e tij si “të pabaza”.
“Informacione të tilla spekulative, që synojnë stabilitetin ekonomik të vendit tonë, nuk duhet të merren seriozisht”, pohoi ai në X.
Problemet filluan kur SPK lëshoi direktiva më 28 gusht duke urdhëruar fondet të mos investonin më të gjitha asetet e tyre në një aksion të vetëm dhe të diversifikonin portofolet e tyre.
Për t’iu përmbajtur rregullave të reja, fondet filluan të shesin aksione dhe investitorët filluan të tërhiqeshin.
Disa fonde më pas deklaruan se nuk ishin në gjendje të likuidonin asetet e tyre mjaftueshëm shpejt.
Hetimi përqendrohet në veçanti në akuzat për krim të organizuar, mashtrim kundër shtetit dhe shkelje të ligjit të tregjeve financiare, si dhe evazion fiskal.
Por, po ngrihen një numër gjithnjë e në rritje zërash, duke vënë në dyshim veçanërisht pamundësinë e rregullatorëve për të ndërhyrë më herët në këtë çështje./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.