Rajoni

Turqia në prag të përsëritjes për herë të parë të zgjedhjeve në historinë e saj

Afati prej 45 ditësh, brenda të cilit kryeministri aktual turk, Ahmet Davutoglu kishte mandat për të formuar një qeveri të re përfundon sot, njoftoi Anadolu Agency (AA).

Në bazë të dispozitave kushtetuese, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan duhet të kërkojë tashmë përsëritjen e zgjedhjeve, ku gjatë kësaj periudhe shteti do të drejtohet nga një qeveri kalimtare, në përbërje të së cilës duhet të jenë të gjitha partitë parlamentare në bazë të numrit të fituar të votave në zgjedhjet e fundit.

Presidenti turk, Erdogan, ngarkoi më 9 korrik kryeministrin,Davutoglu për formimin e qeverisë së 63-ë turke në historinë e saj moderne, megjithatë, bisedimet e tij me udhëheqësit e Partisë Popullore Republikane (CHP) dhe Partisë Popullore Kombëtare (MHP) nuk rezultuan të sukseshme për formimin e një koalicioni, ndaj kryeministri aktual, pesë ditë para afatit të fundit për formimin e qeverisë, ia ktheu mandatin presidentit të vendit.

Erdogan në pesë ditët e fundit nuk ia dha mandatin për formimin e qeverisë liderëve të partive të tjera, kështu që Republika e Turqisë për herë të parë në historinë e saj moderne do të përsërisë zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa presidenti Erdogan do të jetë presidenti i parë i këtij vendi, i cili do të përdorë autoritetin kushtetues për të thirrur zgjedhje të reja.

Tani pritet që presidenti të kërkojë zyrtarisht nga Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë organizimin e zgjedhjeve të reja që do të mbahen 90 ditë pas këtij vendimi të presidentit. Megjithatë, Komisioni i Lartë Zgjedhor ka njoftuar tashmë planet se zgjedhjet do të mbahen 60 ditë pas këtij vendimi.

Nga momenti i thirrjes të zgjedhjeve të reja, deri në formimin e përbërjes së re parlamentare Turqia do të drejtohet nga një qeveri kalimtare. Partitë politike kanë të drejtë të refuzojnë pjesëmarrjen në qeverinë kalimtare, kurse vendet e tyre plotësohen nga partitë e tjera politike parlamentare apo jashtë saj.

Qeveria e përkohshme formohet brenda pesë ditëve nga shpallja e vendimit në Fletoren Zyrtare dhe sipas rregullores kushtetuese miratimi i saj nuk ka nevojë për procedurën e votimit në Parlament.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 7 qershor, duke siguruar 258 vende në Kuvendin Popullor të Republikës së Turqisë, por i mungojnë 18 deputetë për të formuar qeveri e vetme.

E dyta radhitet CHP me 132 deputetë, kurse MHP dhe HDP morën nga 80 deputetë.

Bisedimet për formimin e një qeverie të tillë në Turqi u zhvilluan edhe 16 vjet më parë. Qeverinë e fundit të koalicionit e formoi kreu i Partisë Demokratike Majtiste (DSP) Bulent Ecevit në prill të vitit 1999.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button