U dënuan në total me 81 vjet burgim, Gjykata Speciale publikon aktgjykimin e plotë
Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjykata Speciale sort po ashtu publikoi aktgjykimin e plotë.
“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte”, thuhet në njoftim.
Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z.Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet më tej.
Sipas njoftimit, shënjestrimi i këtyre kundërshtarëve mori formën e vrasjeve; arrestimeve dhe ndalimeve pa proces ligjor të rregullt; keqtrajtimit fizik dhe psikologjik; si dhe forma të tjera të keqtrajtimit, frikësimit dhe ngacmimit.
Me përjashtime të kufizuara, Trupi Gjykues konstatoi se nuk kishte prova se ndonjë prej viktimave kishte qenë përfshirë në veprimtari kriminale, kishte marrë pjesë aktive në luftime, apo përbënte ndonjë shqetësim legjitim tjetër të sigurisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Shumica e gjerë e tyre ishin civilë të pafajshëm të cilët u bënë viktima të zbatimit të planit kriminal të përbashkët, në të cilin u cilësuan – shpesh në mënyrë të rreme dhe përgjithësisht pa ndonjë bazë – si kolaboracionistë ose spiunë. Shumë viktima treguan për pasojat afatgjata psikologjike dhe fizike të vuajtjeve të tyre”, thuhet më tej.
Sipas njoftimi, gjatë përcaktimit të dënimit, Trupi Gjykues vlerësoi me hollësi faktet përkatëse, peshën e krimeve, llojin dhe shkallën e përfshirjes personale të secilit prej të akuzuarve, si edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Trupi
Gjykues gjithashtu mbajti parasysh se disa viktima ishin veçanërisht të cenueshme, për shembull për shkak të moshës së tyre apo për arsye se u detyruan të shihnin keqtrajtimin ose vrasjen e anëtarëve të familjeve të tyre.
“Gjatë seancës, Kryegjykatësi theksoi se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve. Kryegjykatësi gjithashtu shpjegoi se gjykimi nuk kishte të bënte me krimet që, padyshim, forcat dhe paraushtarakët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës.
Gjykimi kishte të bënte vetëm me pyetjet nëse ishin kryer krimet e pretenduara në Aktakuzë dhe nëse të akuzuarit mund të mbaheshin penalisht përgjegjës për to”, thuhet në njoftim.
Roli i secilit prej të akuzuarve
Në lidhje me Hashim Thaçin, sipas njoftimi të Gjykatës Speciale, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i Drejtorisë Politike, ai ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët që përfshinte ngritjen e objekteve të ndalimit; identifikimin e personave që konsideroheshin si kundërshtarë të UÇK-së; arrestimin dhe ndalimin e tyre; dhe, nëse ishte e nevojshme, vrasjen e tyre.
“Këtu përfshihej shënjestrimi i ‘kolaboracionistëve’ të pretenduar, krijimi i strukturës, organeve kompetente dhe rregulloreve për këtë qëllim, dhe përdorimi i “luftës speciale” kundër kundërshtarëve, përfshirë përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike e deklaratave të tjera publike ku shprehej tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve”.
Më tej thuhet se Trupi Gjykues më tej konstatoi se Hashim Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin arbitrar dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, dhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.
Ai gjithashtu përhapi informacion të rremë për të ndaluarit dhe viktimat e krimeve të kryera nga anëtarë të UÇK-së, dha garanci të rreme për respektimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare në emër të UÇK-së, si dhe kontribuoi në politikën e mosndëshkimit në lidhje me kryesit e krimeve kundër kundërshtarëve.
Në lidhje me Kadri Veselin, Trupi Gjykues konstatoi se, si shef i Drejtorisë së Zbulimit, ndër përgjegjësitë kryesore kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që dyshohej se ishin “kolaboracionistë”.
“Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se z. Veseli u përfshi personalisht në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve në fund u vranë. Trupi Gjykues theksoi në këtë kontekst se i ashtuquajturi informacion zbulimi mbi bazën e të cilit shumë prej viktimave u arrestuan, u ndaluan dhe u vranë, nuk ishte më shumë se thjesht thashetheme të paverifikuara”.
“Trupi Gjykues arriti në konstatimin se pozita zyrtare e Rexhep Selimit si inspektor i përgjithshëm i dha atij më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së në dallim nga të akuzuarit e tjerë. Paneli megjithatë konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe si shef i Drejtorisë Operative dhe inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare, dhe, përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte. Paneli gjithashtu konstatoi se z. Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve dhe kontribuoi në zbatimin e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në mënyra të tjera të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rolin e Jakup Krasniqit, Gjykata Speciale thekson se Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, dhe si zëdhënës dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, ai ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve.
“Në veçanti, përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike e fjalimeve publike të tjera, si edhe urdhrave, z. Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë përmes “luftës speciale” të UÇK-së. Në këto deklarata, ndër të tjera, u mor përsipër përgjegjësia për vrasjen e, dhe “masat ndëshkuese” kundër, “kolaboracionistëve” dhe u shpreh inkurajim dhe tolerancë për krimet, si, për shembull, ‘kolaboracionistët paralajmërohen se do t’i vrasim nëse vazhdojnë në rrugën e gabuar’”, thuhet në njoftim.
Atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve
Trupi Gjykues nënvizoi se gjykimi u zhvillua në një atmosferë të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve.
Disa dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në mënyrë oportuniste tërhoqën deklaratat e dhëna në të kaluarën, shmangën dhënien e detajeve themelore nga dëshmitë e mëparshme, gënjyen Trupin Gjykues, recituan fjali të mësuara paraprakisht ose ndryshuan dëshmitë që kishin dhënë më parë.
Megjithatë, Trupi Gjykues pranoi se shumica e dëshmitarëve që u paraqitën para Trupit Gjykues e bënë këtë me shumë guxim dhe vendosmëri; disa dëshmitarë e bënë këtë përkundër frikësimit dhe përpjekjeve për t’i dekurajuar që të dëshmonin.
Historiku i çështjes gjyqësore
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Pas arrestimit të tyre prej Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Prokurorisë. Prokuroria mbylli paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 156 viktimat pjesëmarrëse paraqiti provat e veta në korrik 2025, kurse Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre midis shtatorit dhe dhjetorit 2025.
Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025 dhe deklaratat përmbyllëse u paraqitën prej 9 deri më 18 shkurt 2026.
Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues mori provat e 273 dëshmitarëve, si në gjykatë ashtu dhe me shkrim. Trupi Gjykues pranoi 5467 prova materiale.
Trupi Gjykues bëri konstatim gjyqësor për 1017 fakte të shqyrtuara në procese të tjera dhe për 29 fakte të pranuara. Gjithashtu, numri i faqeve të transkriptit në këtë proces gjyqësor arriti në 29238 faqe. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.