UKRAINË – Sulme ruse në qytetin e lindjes së Zelensky, dy të vrarë dhe 58 të plagosur
KIEV, 21 nëntor /ATSH-Ukrinform/- Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur nga sulmet me raketa balistike dhe dronë të forcave ruse në qytetin Krivij Rih, në jug të Ukrainës, vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë një djalë shtatëvjeçar dhe një punonjëse 20-vjeçare e shërbimit të urgjencës mjekësore, e cila kishte mbërritur në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit.
Bilanci i të plagosurve është rritur në 58 persona, mes tyre gjashtë fëmijë. Sipas kreut të Këshillit të Mbrojtjes së qytetit, Oleksandr Vilkul, 28 persona ndodhen në spital, përfshirë pesë fëmijë. Njëmbëdhjetë të plagosur janë në gjendje të rëndë, pesë prej tyre në terapi intensive.
Sulmi i parë ndodhi mbrëmjen e 20 nëntorit, kur forcat ruse goditën me dy raketa balistike qendrën e qytetit, në një zonë të populluar pranë një restoranti dhe ndërtesave të banimit.
Gjatë operacionit të shpëtimit, dronë të tipit Shahed goditën përsëri zonën ku ndodheshin ekipet e emergjencës, personeli mjekësor dhe punonjësit e shërbimeve komunale. Mes të plagosurve janë edhe punonjës të urgjencës dhe të shërbimeve të emergjencës shtetërore.
Sipas të dhënave paraprake, sulmet dëmtuan rreth 25 ndërtesa banimi, një spital, institucione arsimore, biznese, një restorant, garazhe, ambulanca dhe automjete. Në qytet shpërthyen edhe katër vatra zjarri, të cilat tashmë janë shuar.
Sulmet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të furnizimit me ujë, gaz dhe energji elektrike në disa zona. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se shërbimet komunale kanë stabilizuar furnizimin me gaz dhe kanë rikthyer transportin publik elektrik.
Krivij Rih është qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe një qendër e rëndësishme industriale e vendit, e njohur për industrinë minerare dhe prodhimin e metaleve.
Sulmi vjen në kuadër të përshkallëzimit të goditjeve ajrore ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Një tjetër sulm masiv rus gjatë natës në Kiev shkaktoi viktima dhe dëme në disa ura mbi lumin Dnipro. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.