UKRAINË – Zelensky: Pret shpejt rifillimin e negociatave
KIEV, 5 tetor /ATSH-DPA/ – Pavarësisht intensifikimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpreson që negociatat për përfundimin e luftës të rifillojnë së shpejti.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti Zelensky tha se pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të arrijnë të organizojnë gjatë tetorit një takim trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.
Sipas tij, ekipi ukrainas i negociatave është gati, ndërsa tani duhet që edhe Rusia të tregojë të njëjtën gatishmëri.
Zelensky theksoi se diplomacia duhet të bëhet përparësi edhe për Moskën.
Ai akuzoi Rusinë se deri tani është përqendruar kryesisht te sulmet ndaj Ukrainës dhe destabilizimi i marrëdhënieve në Evropë.
Sipas presidentit ukrainas, një detyrë e rëndësishme për SHBA-në dhe të gjithë partnerët e fuqishëm të Ukrainës është të bindin Rusinë t’i rikthehet diplomacisë dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt zgjidhjes së konfliktit, në vend që të vazhdojë luftimet.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, Rusia ka sinjalizuar disa herë se është e gatshme të negociojë, por me kushte të caktuara, dhe më pas ka ndryshuar qëndrim.
Për këtë arsye, Kievi, aleatët perëndimorë dhe vëzhgues të ndryshëm kanë dyshime serioze mbi gatishmërinë reale të Moskës për negociata.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më herët këtë muaj se Moska është e gatshme të hyjë në negociata dhe t’i përfundojë ato sa më shpejt të jetë e mundur, por vetëm mbi kushte që, sipas tij, janë të pranueshme edhe për Federatën Ruse dhe popullin rus. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.