Ushqimet e ulura, si plaku dhe deti?
Nga Fatos Çoçoli
Nga 1 janari 2027, ne si qytetarë na jepet një mundësi reale për të paguar më pak për një pjesë të rëndësishme të shportës së tyre ushqimore. Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) për 54 artikuj ushqimorë të përdorimit të përditshëm nga 20% në 6% është, në parim, një nga masat më të prekshme për xhepin e familjeve tona.
Kjo ulje përfaqëson 14 përqind të çmimit të të 54 artikujve ushqimorë të përditshëm, nëse do të kryhej nga tregtarë e shumicës dhe pakicës me ndershmëri. Pra, çmimi i 1 kg mielli, për shembull, nga 140 lekë që është sot, duhet të ulet deri në 126 lekë që nga 1 janari 2027, nëse tregtari nuk do të abuzojë. Kushti i vetëm është që artikulli ushqimor të shitet me faturë.
Një familje jona me katër anëtarë, me të ardhura mesatare, harxhon rreth 30 mijë lekë të vjetra në ditë në blerjen e mishit, kosit, djathit, gjalpit, qumështit, makaronave, miellit, vajit ushqimor, etj., ose 900 mijë lekë të vjetra në muaj. Nëse ulja me 14 përqind do të jetë reale, ne si familje mund të kursejmë 900 mijë lekë të vjetra, herë 14/100, baraz me 126 mijë lekë të vjetra në muaj. Në 12 muaj shkojnë një milion e 512 mijë lekë të vjetra në vit dhe kjo shumë nuk është pak për një familje tonën!
Mirëpo, përpara se të fillojnë festimet për një paketë fiskale “sociale”, duhet bërë një pyetje shumë më e rëndësishme:
A do të mbërrijë realisht ulja e taksës tek qytetari, apo do të humbasë rrugës, e ngrënë nga peshkaqenët tregtarë?
Kjo është prova e vërtetë e kësaj mase. Një ulje takse si TVSH, edhe pse masive, nuk ka shumë vlerë për familjen shqiptare nëse, në fund, çmimi në raft mbetet pothuajse i njëjtë.
Qytetarë, hapni sytë dhe mbani shënim çmimet!
Nga 1 janari 2027 nuk duhet të mjaftojë më pyetja: “A është ulur TVSH-ja?”. Përgjigjen e dimë: po, nga 20% në 6%.
Pyetja e vërtetë duhet të jetë: Sa kushtonte ky produkt më 31 dhjetor 2026 dhe sa kushton sot? Kjo duhet të bëhet pyetja e 54 artikujve të shportës ushqimore që i marrim me faturë.
Ne si qytetarë, duhet të mbajmë mend çmimet. Madje, duhet t’i fotografojmë, t’i shënojmë, t’i krahasojmë dhe, nëse shikojmë devijim nga ulja me 14 përqind e çmimit, të denoncojmë në media dhe në të gjitha portalet qeveritare.
Duhet të kontrollojnë faturën e supermarketit, të krahasojnë një dyqan me tjetrin dhe, mbi të gjitha, të mos pranojnë në heshtje që një përfitim fiskal i destinuar për ne, të përfundojë diku tjetër.
Në fund të fundit, nuk është detyrë e qytetarit të falënderojë dikë për uljen e një takse. Është e drejta e tij të kërkojë që kjo ulje të shfaqet në çmimin që paguan.
Tregu ynë, për fat të keq, nga grykësia dhe pangopësia e tregtarëve, ka një aftësi të çuditshme: ndonjëherë çmimet ngrihen me shpejtësi si raketë dhe bien me ngadalësi si pendë.
Këtu qëndron rreziku. Një pjesë e përfitimit nga ulja e TVSH-së, që duhet të mbetent e gjitha tek qytetari-konsumator, pasi ai e paguan këtë taksë, mund të mbetet tek prodhuesi dhe tregtari. Si dhe një pjesë e mirë tek importuesi, për ushqimet e importuara që i kemi në nivel 1.3 miliardë euro në vit!
Pastaj kemi dhe një pjesë të përfitimit tek tregtari i shumicës(grosisti) dhe një pjesë tek ai i pakicës. Çfarë ngeli për qytetarin-konsumator?
Dhe kur të na vijë radha jonë e përfitimit si qytetarë-konsumatorë, pra ulja reale në çmimin në treg, mund të zbulojmë me habi e zhgënjim se nga “peshku i madh” i uljes së TVSH-së prej 150 milionë euro, na ka mbetur vetëm një kockë!
“Plaku dhe deti” si metaforë e një rreziku ekonomik real
Në novelën e famshme të Ernest Heminguejit, “Plaku dhe deti”, peshkatari plak Santiago kap, pas një beteje të jashtëzakonshme, peshkun më të madh të jetës së tij. Ishte një fitore e madhe. Një pre e jashtëzakonshme.
Por rrugës për në breg, peshkaqenët filluan t’i sulen peshkut. Santiago luftoi sa mundi, por kur mbërriti në mol, nga peshku i madh kishte mbetur vetëm skeleti. Kjo metaforë duhet të na bëjë të mendojmë për uljen e TVSH-së.
Vendimi i qeverisë për uljen e kësaj takse konsumi është peshku i madh. Përfitimi i premtuar për familjet tona është mishi i tij. Ndërsa rruga nga ligji deri te rafti i supermarketit është deti i gjatë, ku mund të dalin shumë “peshkaqenë”.
Dhe nëse si qytetarë nuk tregohemi syçelët, mund të ndodhë që ulja e TVSH-së të nisë si një premtim i madh ekonomik dhe të mbërrijë te si një përfitim i vogël, pothuajse i padukshëm.
Ne si qytetarë nuk duhet të lejojmë që dikush tjetër të na e hajë mishin e peshkut që qeveria ka kapur për ne. Heshtja dhe indiferenca jonë si konsumatorë është aleati më i mirë i çmimeve të pa-ulura të ushqimeve, ose të ulura pak, sa për formë!
Tregtari nuk ka nevojë të shpjegojë shumë, nëse qytetari-konsumator nuk pyet. Nuk ka nevojë të ulë plotësisht çmimin, nëse askush nuk mban mend sa kushtonte produkti ushqimor dje, pa uljen e TVSH-së. Nuk ndjen presion nga konkurrenca, nëse qytetarët vazhdojnë të blejnë, pa krahasuar. Pikërisht këtu fillon përgjegjësia jonë dhe jo thjeshte dhe vetëm e qeverisë. Do të jemi në lartësinë e përgjegjësisë dhe situatës?
Nuk mjafton ulja në ligj, duhet ulja në faturë. Qeveria e uli normën e TVSH-së me ligj, që nga 1 janari 2027. Por ligji nuk futet vetë në arkën e supermarketit dhe nuk ndryshon automatikisht çmimin në etiketën e çdo produkti ushqimor të përditshëm.
Familjes sonë nuk i intereson vetëm shifra 6% e TVSH-së në një dokument zyrtar. Asaj i intereson shifra që del në fund të faturës.
Këtë herë, qytetari duhet të jetë roja e “peshkut të madh”
Sigurisht, institucionet tona shtetërore, inspektorati i tregjeve ushqimor duhet të monitorojë tregun dhe të kërkojnë transparencë. Por a është ai në gjendje të na mbrojë plotësisht dyqan ushqimor pas dyqani ushqimor?
Prandaj dhe kontrollori më i madh mbetemi vetëm ne, si qytetarë-konsumatorë. Një qytetar që di çmimin e djeshëm është më i fortë se një qytetar që nuk e mban mend atë. Një familje që krahason faturat e saj krijon presion mbi tregun. Mijëra qytetarë që kërkojnë të njëjtën gjë, “Ku është ulja e çmimit?”, mund të bëjnë më shumë se dhjetëra deklarata zyrtare.
Ulja me mbi tre herë e TVSH-së për ushqimet e përditshme është dhe duhet shndërruar në një mundësi konkrete për familjet tona për të kursyer të paktën 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Por ky shans duhet mbrojtur!
Në “Plaku dhe deti”, Santiago nuk e dorëzoi peshkun pa luftuar. Luftoi deri në fund kundër peshkaqenëve. Të njëjtë gjë duhet të bëjmë dhe ne si qytetarë, që ulja e TVSH-së për ushqimet të mos mbërrijë në tryezën e familjeve tona si skeleti i një premtimi të madh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.