Ushtaraku amerikan: Epoka e dronëve po e ndryshon luftën
Vetëm mbi tre muaj pas nisjes së konfliktit në Gjirin Persik është vënë në pah rëndësia e sistemeve të armëve me kosto të ulët të prodhuara në masë, veçmas e dronëve dhe municioneve, dhe janë bërë të dukshme po ashtu kufizimet në mbështetjen në teknologji të shtrenjta mbrojtëse për t’iu kundërvënë atyre, sipas Nathan Diller, udhëheqës i kompanisë së teknologjisë së mbrojtjes, Mach Industries.
Diller, kolonel në pension i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se konflikti ka shtuar urgjencën që vendet aleate të forcojnë zinxhirët e furnizimit të industrisë ushtarake dhe të krijojnë më shumë qëndrueshmëri prodhuese, duke ngritur paralele me mësimet që po dalin nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
“Kur shohim dronë me kosto të ulët dhe municione të lira që po rrëzohen nga sisteme shumë të shtrenjta, ky është një mësim që nuk mund ta mësojmë mjaftueshëm shpejt”, tha Diller, i cili shërbeu si ndihmësdrejtor për Aeronautikë në Zyrën e Politikave të Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Si ish-pilot luftarak, Diller tha se kapacitetet tradicionale ushtarake mbeten kyç, por teknologjitë më të reja mund ta kishin ulur koston dhe kohëzgjatjen e konfliktit Iran-Izrael, duke bërë që parandalimi të ishte më i shpejtë.
“Dy dekada ka marrë injorimi i kësaj qasjeje ndaj luftës dhe kjo qasje ndaj prodhimit në masë”, tha ai, duke shtuar se nismat e fundit të Qeverisë amerikane, të mbështetura nga Kongresi, po ndihmojnë në forcimin e parandalimit në të ardhmen, tha ai.
“Fabrika është arma”
Diller tha se një nga mësimet më të rëndësishme nga përdorimi i sistemeve pa pilot në konflikte që nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme është se vetë kapaciteti prodhues është bërë një aset strategjik.
“Ajo që më befason është se ne ende nuk e kemi kuptuar shkallën në të cilën fabrika është vetë arma”, tha ai.
Sipas Dillerit, aftësia e një vendi për të prodhuar dhe për të përshtatur shpejt pajisjet ushtarake mund të bëhet një faktor vendimtar në konfliktet e ardhshme dhe në strategjitë e parandalimit.
“Shpejtësia me të cilën një vend mund të krijojë një fabrikë të tillë do të jetë drejtpërdrejt proporcionale me aftësinë tonë për parandalim në të ardhmen”, tha ai.
“Zhvillimi i shpejtë i këtyre fabrikave, ku pajisjet harduerike mund të zhvillohen me ritmin e softuerit, është një gur themeli për paqen dhe prosperitetin në të ardhmen”, shtoi Diller.
Duke folur për konfliktin aktual në rajonin e Gjirit, Diller tha se vazhdimi i angazhimit diplomatik mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së, së bashku me një pushim në shkëmbimet në shkallë të gjerë të raketave, jep arsye për optimizëm të kujdesshëm, pavarësisht shkeljeve të fundit të armëpushimit.
“Fakti që bisedimet po vazhdojnë është pozitiv”, tha ai, duke iu referuar përpjekjeve që po vazhdojnë e që synojnë parandalimin e një konflikti më të gjerë rajonal pas më shumë se 100 ditësh konfrontim.
“Fakti që çdo ditë nuk ka raketa në ajër është një gjë e mirë”, tha Diller, duke shtuar se përpjekjet për të parandaluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë po ndihmojnë që ta bëjnë botën më të sigurt.
Komentet e tij u bënë para se SHBA-ja ta sulmonte Iranin të martën, pasi e fajësoi atë për rrëzimin e një helikopteri amerikan pranë Ngushticës së Hormuzit.
Përderisa politikanët gjithnjë e më shumë po vënë në pikëpyetje nëse shkeljet e përsëritura të armëpushimit po bëhen më të kushtueshme se vetë konflikti, Diller argumentoi se një nivel pasigurie mbetet thelbësor për parandalimin ushtarak.
“Pasiguria strategjike është një gjë e domosdoshme”, tha ai, duke shtuar se paaftësia e kundërshtarëve për të parashikuar plotësisht pasojat e veprimeve të tyre shpesh e dekurajon përshkallëzimin.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.