Vala e të nxehtit afrikan përfshin Evropën, ja sa priten të arrijnë temperaturat këtë javë
Në një lidhje live për Euronews Albania, meteorologia Lajda Porja bëri parashikimin e motit, ku theksoi se kemi hyrë zyrtarisht në stinën e nxehtë.
Meteorologia gjithashtu u shpreh se temperaturat e ditëve të sotme do të arrijnë 35-36°C dhe ditët në vijim pritet të mbeten në këto parametra.
Sakaq, ajo theksoi se këto temperatura vijnë për shkak të valës së të nxehtit afrikan, i cili ka goditur fillimisht jugperëndimin e kontinentit.
“Në fakt, ne kemi parë që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë kontinenti i Europës tashmë prej disa ditësh po përjeton temperatura mjaft të larta, kjo edhe për shkak të valës së nxehtë afrikane, e cila është futur si fillim në jugperëndim të kontinentit, në Portugali, në Spanjë, tashmë ka mbërritur në Europën Qendrore dhe deri në Skandinavi, duke sjellë temperatura shumë të larta.
Ne kemi regjistruar gjatë ditës së djeshme temperaturën 34°. Presim që sot termometri të ngjitet në 35-36°, ku do të jetë kryesisht në qarkun e Shkodrës, të Elbasanit dhe të Beratit. Këto do jenë edhe tre qarqet ku do të shënohen temperaturat më të larta.
Parashikohet në fakt që edhe ditët vijuese të jenë rreth këtyre vlerave. Ka sinjale që fundjava të sjellë një freskim të motit, por do jetë një freskim i lehtë i moti. Pra, nga 36° ne presim që në fundjavë të jemi në 33° Celsius.
Për sa i përket motit, nuk është totalisht një qiell i pastër. Kemi kryesisht mot të kthjellët, por vranësirat janë prezente. Pothuajse çdo pasdite do të rrezikohet nga rrebeshe të izoluara të shiut, kryesisht në zonat lindore. Dhe mbetet, le të themi, me kthjellime dhe vranësira përpara shiut pjesa më e madhe e territorit, duke përjashtuar skajin verilindor dhe juglindor, ku rrebeshet do jenë prezente në çdo pasdite të kësaj jave. Kjo edhe për shkak të temperaturave të larta.
Megjithatë, edhe në zonat malore maksimumi ngjitet në 29° në qytetin e Kukësit. Parashikohet që, le të themi, e gjithë java të jetë kryesisht e qëndrueshme në ultësirën perëndimore dhe zonat malore, paraditet me diell dhe pasditet vranësira dhe reshje të pakta dhe të përkohshme.
Sa i përket situatës në rajon, në fakt, edhe rajoni, edhe Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut po shënojnë temperatura të larta, gjithmonë duke bërë krahasimin e vlerave të tyre klimatike, ku maksimumi në Kosovë do të ngjitet deri në 29 apo 30 gradë, dhe 31 gradë në Maqedoninë e Veriut.
Moti aty është i kthjellët pothuajse dhe me diell, relativisht nxehtë gjatë paraditeve, por çdo pasdite rrezikohet nga rrebeshe të shkurtra shiu. Për sa i përket Kosovës, janë zonat veri-veri-perëndimore që rrezikohen nga rrebeshet e shiut, dhe zonat perëndimore në Maqedoninë e Veriut. Janë reshje të cilat zgjatin vetëm disa minuta, rrebeshe të izoluara, dhe më pas sërish ka diell.
Deri në fund të javës moti do të jetë pothuajse në këto kushte atmosferike, pra me kthjellime paradite, dhe kthjellime, vranësira dhe shira të izoluar pasdite. Parashikohet që fundjava të sjellë edhe në rajon, edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, një rënie të temperaturave e cila do të jetë me dy apo tre gradë në zona të caktuara.
Është një tërheqje e lehtë e kësaj vale të nxehtë afrikane, gjë e cila bën që edhe moti të freskohet, por është krejt kalimtare. Sepse sërish në javën tjetër do kemi një riaktivizim të valëve afrikane dhe tashmë jemi futur zyrtarisht në stinën e nxehtë, ku na presin ditë të nxehta”, u shpreh meteorologia.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.