Varësia nga rrjetet sociale, probleme psikologjike dhe shëndetësore te përdoruesit
Varësia nga rrjetet sociale, shfletimi i pandalshëm i lajmeve negative, frika se po humbet diçka dhe ankthi nga mungesa e telefonit janë disa nga fenomenet e reja që po lidhen gjithnjë e më shumë me përdorimin problematik të teknologjisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e njeh zyrtarisht çrregullimin nga videolojërat si diagnozë në klasifikimin ICD-11. Ky çrregullim lidhet me humbjen e kontrollit, përparësinë që i jepet lojës ndaj aktiviteteve të tjera dhe vazhdimin e saj pavarësisht pasojave negative.
Varësia nga rrjetet sociale nuk është ende një diagnozë e pavarur, megjithëse është studiuar gjerësisht. Shenjat përfshijnë pamundësinë për të ndaluar, qëndrimin online më gjatë nga sa ishte planifikuar, nevojën e vazhdueshme për të kontrolluar rrjetet dhe irritimin kur nuk ka akses.
Sipas një studimi të OBSH-së në Europë, 11% e adoleshentëve shfaqin shenja të përdorimit problematik të rrjeteve sociale, nga 7% që ishte kjo shifër në vitin 2018. Përqindja arrin në 13% te vajzat dhe 9% te djemtë.
Një tjetër fenomen është FOMO, frika se mund të humbasësh një ngjarje apo informacion të rëndësishëm dhe që i shtyn njerëzit të kontrollojnë vazhdimisht WhatsApp-in, Instagram-in, TikTok-un apo lajmet.
“Doomscrolling” përkufizohet si konsumimi i vazhdueshëm dhe shpesh kompulsiv i lajmeve negative për luftëra, fatkeqësi, kriza, aksidente apo skandale. Paradoksi është se njerëzit kërkojnë më shumë informacion për t’u ndier më të përgatitur, por shpesh përfundojnë edhe më të shqetësuar.
“Nomofobia”, nga ana tjetër, përshkruan ankthin ose parehatinë kur telefoni nuk është pranë, kur mungon interneti ose kur nuk mund të aksesohen informacionet dhe kontaktet dixhitale.
Studiuesit kanë evidentuar edhe “dridhjen fantazmë”, rastin kur një person mendon se telefoni po vibron edhe pse nuk ka ardhur asnjë njoftim.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te shëndeti mendor, pasi qëndrimi për shumë orë para ekranit lidhet edhe me mungesë aktiviteti fizik, lodhje të syve dhe probleme muskulore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.