Varoufakis: Greqisë po i mbaron likuiditeti
Likuiditeti i Greqisë po mbaron. Deklarata është bërë nga ministri i Financave, Yanis Varoufakis, i cili ka nënvizuar se Greqia nuk po luan me opsionin e njohur si “Grexit”, ose dalja e vendit nga zona euro.
Megjithatë, duke folur nga Uashingtoni, Varoufakis ka bërë të ditur se Athina zyrtare shpreson të arrijë një marrëveshje me Eurozonën brenda qershorit.
Gjithashtu, ministri grek është shprehur i gatshëm të pranojë të gjitha kushtet, “nëse ato kanë kuptim”, ka thënë ai.
“Evropa duhet ta pranojë se programi ka përkeqësuar situatën greke dhe masat anti-krizë bëjnë që Evropa ta eksportojë krizën në pjesën tjetër të botës”, ka thënë Varoufakis.
Një ditë më parë, kryeministri grek Aleksis Tsipras, në një intervistë për agjencinë “Reuters” shfaqi optimizmin e tij se, deri në fund të prillit Greqia do të ketë një marrëveshje me partnerët e saj.
“Me gjithë kakofonitë dhe deklaratat e ndërsjella që rrjedhin në media, ne kemi veçse 4 pika kryesore ku nuk biem dakord me kreditorët”, tha ai.
“Dhe këto janë marrëdhëniet e punësimit, reformat në fushën e pensioneve, rritja e TVSH-së dhe privatizimet, apo vlerësimi i pasurisë shtetërore. Por mbi të gjitha, dallimet tona janë politike”, theksoi Tsipras.