Rajoni

Varufakis, kreditorëve: A ju leverdis ta lodhni lopën që jep qumësht?!

Ministri i Financave, Varufakis, po kërkon sërish një marrëveshje me kreditorët – me një formulim shumë interesant, sipas vlerësimeve të shtypit gjerman. Ndërkaq, një zëdhënës i fraksionit të majtë të Syrizas, tha se “një dalje nga euro nuk do të ishte ndonjë katastrofë dhe mospagimi i borxheve apo i kësteve të radhës për FMN-në nuk përbën gjithashtu ndonjë akt terrorist”

Greqia nuk ka para mjaftueshëm për të paguar këstin e radhës së FMN-së. Ministri i Financave, Janis Varufakis, po kërkon sërish një marrëveshje me kreditorët – me një formulim shumë interesant, sipas vlerësimeve të shtypit gjerman.

Greqia u ka kërkuar kreditorëve të vet një kompromis për të thyer gjendjen e amullisë në negociatat për marrjen e paketave të tjera të ndihmës financiare për vendin e tij. Në qershor, vendi që po vuan prej vitesh nga problemet me likuiditetin, duhet të kryejë pagesat ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qysh të shtunën, Kryeministri Aleksis Cipras pati deklaruar se Greqia nuk mund të arrinte dot të ndërmerrte valë të tjera masash kursimi. Të dielën, ministri Varufakis tha se qeveria greke ka përmbushur deri më tani thuajse një të tretën e kushteve së kërkuara nga Eurozona dhe FMN-ja, e tashmë u takon kreditorëve të përmbushin pjesën e mbetur.

Ministri i Brendshëm, Nikos Vucis, i cili sidoqoftë nuk ka ndonjë kompetencë vendimmarrëse në çështjet ekonomike, deklaroi të dielën nga ana e tij se Greqia nuk mund ta paguante dot këstin ndaj FMN-së të paracaktuar për në muajin qershor, nëse nuk arrihej dot marrëveshje mbi paketën e ndihmave.

“Greqia ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të marrëveshjes, e tashmë u mbetet institucioneve (duke menduar këtu Trojkën, të cilës Syriza nuk dëshiron as t’ia përmendë emrin), të paguajë pjesën e saj”, tha Varufakis për BBC-në britanike.

“Nuk është në interesin e tuaj si kreditorë, që lopën që ka qumësht, ta shtrydhni në atë masë që qumështi të mos mjaftojë më për të marrë pastaj mbrapsht paratë tuaja”, tha ai.

Syriza voton pagesën e kësteve ndaj FMN-së

Sidoqoftë të dielën, kreu i Syrizas e gjeti veten para një sprove të fortë me përfaqësuesit e vijës së ashpër brenda radhëve të partisë së tij. Pardje, Komiteti Qendror i Syrizas refuzoi një propozim të krahut ultra-majtist, për të mos paguar këstin e radhës ndaj Fondit Monetar dhe për të shtetëzuar bankat helene.

Refuzimi do të duhej t’i nënshtrohej edhe një referendumi për një marrëveshje me Brukselin dhe FMN-në.

Por votimi për këto propozime tregoi se: 95 ishin kundër propozimit të përfaqësuesve të vijës së ashpër e 75 pro, ndërsa nuk u regjistrua asnjë abstenim. 30 anëtarë të tjerë të KQ prej 201 vetash të Syrizas, ishin kthyer ndërkaq në rajonet e tyre në kohën kur po zhvilloheshin akoma votimet.

Në të njëjtën kohë, Komiteti Qendror posedon një dokument, sipas të cilit qeveria nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshje në bazë të programeve të vjetra të ndihmave dhe se i refuzonte “ultimatumet e fanatikëve të programit të ashpër të kursimit, ose siç njihet ndryshe, të osteritetit”.

Megjithatë, partia thotë se përqafon qëndrimin se një marrëveshje e leverdishme për të dyja palët është e mundur.

Athinës i mungojnë paratë për këstin e radhës

Qeveria e majtë në Athinë qysh prej disa javësh po negocion me Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar rreth dhënies së transhit të fundit prej 7,2 miliardë eurosh nga program në vijim i ndihmave.

Kreditorët huadhënës kërkojnë nga Athina reforma të tjera ekonomike. Presioni i kohës rritet ndërkaq. Qysh nga gushti i vitit 2014, Greqia nuk ka mundur të marrë më ndihma financiare, edhe Banka Europiane së fundmi nuk i ka mbikëqyrur e ndihmuar më fort bankat e vendit fqinj.

Vetëm të dielën, ministri i Brendshëm, Nikos Vutsis, tha në një intervistë TV se vendi i tij në qershor nuk mund ta arrinte dot të paguante këstin prej 1,6 miliardë eurosh ndaj FMN-së në muajin qershor. Qysh më 5 qershor duhet paguar një këst prej 300 milionë eurosh. Edhe këtë Athina nuk do të ishte dot në gjendje ta shlyente, tha Nikos Filis, shef i grupit parlamentar të Syrizas.

Fraksioni i majtë i Syrizas i akuzon kreditorët për presion të skajshëm

Veç tyre, shefi i qeverisë greke, Cipras, përballë kritikave të shumta brenda radhëve të vetë partisë së tij dëshiron të ndërmarrë disa masa kursimi. Një zëdhënës i fraksionit të majtë të Syrizas, Panajotis Llafazanis, tha se “një dalje nga euro nuk do të ishte ndonjë katastrofë dhe mospagimi i borxheve apo i kësteve të radhës për FMN-në nuk përbën gjithashtu ndonjë akt terrorist”.

Pikëpamjen e Ciprasit, se sheh përparime në negociatat me kredidhënësit, ai sidoqoftë e kundërshtoi. “Greqia nuk ka qenë kurrë nën një presion kaq të ashpër sa tani”, tha Llafazanis.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button