Vdekja e 42-vjeçarit në duart e policisë shkakton protesta dhe zemërim te qytetarët në Bolonja
Protestues, aktivistë të të drejtave të njeriut, por edhe politikanë shprehën zemërimin e tyre në Bolonja të Italisë, pasi një person humbi jetën teksa mbahej i arrestuar nga policia, e cila nuk reagoi teksa ai kërkonte ndihmë.
Abderrahim Fakir, një 42-vjeçar nga Maroku që jetonte në Itali që kur ishte 5 vjeç, vdiq ditën e diel teksa po mbahej me forcë i shtrirë në tokë nga dy oficerë policie.
Në një video të publikuar në mediat italiane, Fakir, që vuante nga probleme me zemrën dhe astmën, u kërkon disa herë ndihmë oficerëve, të cilët qëndrojnë të ulur sipër tij në pritje të ambulancës.
Kur ai ndalon së lëvizuri, policia ia lidh kyçet dhe vetëm pak minuta më vonë, bashkë me infermierët e ambulancës efektivët kontrollojnë shenjat e tij të jetës.
Të thirrur në vendin e ngjarjes nga disa banorë të shqetësuar nga sjellja e çoroditur e Fakir, agjentët i thanë infermierëve se 42-vjeçari po kalonte një moment problemesh psikiatrike.
Incidenti është lidhur me vrasjen e George Floyd 6 vjet më parë në Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu është krahasuar me taktikat e përdorura nga agjentët federalë amerikanë të Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat, nën drejtimin e presidentit Trump.
Incidenti shkaktoi protesta në Bolonja, gjatë të cilave pjesëmarrësit bënë thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës.
Edhe partitë e opozitës e denoncuan sjelljen e oficerëve. Senatorja Ilaria Cucchi, vëllai i të cilës vdiq në rrethana të ngjashme në vitin 2009, e quajti vdekjen e Fakir një “akt çnjerëzor”. Ndërsa zëvendës kryeministri ekstremist Matteo Salvini dhe bashkëpunëtorët e tij i dolën në mbrojtje policisë.
Prokurorët në Bolonja kanë nisur një hetim mbi ngjarjen dhe u kanë kërkuar dy oficerëve pamjet e regjistruara nga kamerat trupore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.