Vdekja e Kamysë: Një aksident tragjik, apo një atentat i orkestruar
Më 4 janar 1960, bota humbi një nga zërat më me peshë të shekullit XX-të. Albert Kamy, shkrimtari 46-vjeçar i romaneve “I huaji” dhe “Murtaja”, dhe fitues pak kohë më parë i Çmimit Nobel në Letërsi, kishte hipur në sediljen e pasagjerit të një automjeti tip ‘FacelVega’ duke shkuar drejt Parisit, kur makina doli nga rruga dhe u përplas me një pemë
Nga Benjamin Shull
Kamy vdiq në moment, ndërsa shoferi që ishte dhe botuesi i tij, Mihel Galimar – do të vdiste në spital disa ditë më vonë. Njeriu që na mësoi se si të përballemi me një botë absurde, kishte vdekur nga një vdekje absurde. Shkrimtari italian Xhovani Kateli, mendon se ajo ngjarje nuk ishte aspak e rastësishme.
Në librin e tij “Vdekja e Kamysë”, botuar për herë të parë në vitin 2013, zoti Kateli prezanton teorinë e tij se aksidenti rrugor ishte një vrasje politike e organizuar nga KGB-ja sovjetike. Kamy, vëren Kateli, kishte artikuluar disa kritika të ashpra kundër Bashkimit Sovjetik në prag të pushtimit të Hungarisë në vitin 1956.
Karizmatik dhe i nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, Kamy paraqiste pra një sfidë serioze për Moskën. Ai ishte, shkruan autori, “një njeri i lirë, i pathyeshëm dhe i rrezikshëm”.Në librin e tij, Katelli përshkruan në detaje investigimin e tij për rrethanat që kanë të bëjnë me përplasjen e makinës ku udhëtonte shkrimtari.
Ai flet për pushtimin sovjetik të Hungarisë, dhe lidhjen e Kamy me disa figura letrare të Evropës Lindore:shkrimtarin çek Jan Zabrana dhe atë rus Boris Pasternak. Teza e Katelitështë bindëse, por larg nga të qenit shteruese, dhe disa lexues do të jenë më të bindur se të tjerët.
Por libri i tij ofron një dritare të qartë dhe të dobishme mbi vështirësitë qëu detyruan të përballen shkrimtarët politikë gjatë Luftës së Ftohtë. Zabrana (1931-1984) është thelbësor në narrativën e Katelit. Një poet dhe përkthyes, prindërit e të cilit u persekutuan nga regjimi komunist i Çekosllovakisë.
Ai përktheu në gjuhën çeke romanin “Doktor Zhivago” të Pasternak. Kateli pati shansin të gjejë ditarët e Zabrana të botuara pas vdekjes në një librari në Pragë, dhe të citojë një pasazh të shkruar në vitin 1980, i cili thotë:“Dëgjova diçka shumë të çuditshme nga një njeri i zgjuar dhe me shumë lidhje. Ai thotë se aksidenti me makinë që vrau Kamynë më 1960, u orkestruar nga shërbimi sekret sovjetik. Ata e manipuluan njërën nga gomat, në mënyrë që ajo të çahej kur makina të udhëtonte me shpejtësi të madhe”.
Njeriu i Zabranës (qëai nuk do t`a tregonte burimin e tij), i tha atij se urdhri për këtë vrasje ishte dhënë nga ministri sovjetik Dimitri Shepilov, pas një artikulli që Kamy shkroi në marsin e vitit 1957, ku sulmonte personalisht Shepilov për ngjarjet e përgjakshme në Hungari.
Kateli shkruan se Kamy “shprehu gjithë indinjatën e një libertariani, që nuk pranoi t’i përkulej tiranisë”. Ai e sulmoi në fillim Shepilov në një fjalim të mbajtur më 30 tetor 1956, gjatë një takimi të qeverisë republikane spanjolle në mërgim. Më pas vazhdoi të denonconte Moskën gjatë viteve të ardhshme.
Në vitin 1958, ai shkroi parathënien e librit “E vërteta rreth Imre Nagit”, i botuar nga Kongresi antikomunist për Lirinë Kulturore, që hidhte poshtë akuzat e ngritura kundërkryeministrit revolucionar të Hungarisë, të cilin sovjetikët e ekzekutuan për tradhti.
Kateli është i admirueshëm në mënyrën e tij të rrëfimit. Ai përpiqet të përcaktojë se kush ishte burimi i qasjes në ditarin e Zabrana, dhe spekulon se si sovjetikët mund t`a kishin ditur itinerarin e Kamysë atë ditë fatale, në vitin 1960.
Kateli u takua me të venë e Zabranas, Maria Zabranov, që flet për disa nga njerëzit e mundshëm që mund t’i kenë treguar burrit të saj të vërtetën e aksidentit që i mori jetën shkrimtarit francez. Një nga digresionet më të gjata të librit, ka të bëjë me botimin e “Doktor Zhivago” të Pasternak.
Zabrana nuk do të jetonte që të shihte përkthimin e tij të botuar. Botimi çek nuk u lejua deri në vitin 1990, pas Revolucionit të Kadifejtë të Çekosllovakisë. Për shkak të çensurëssovjetike, “Doktor Zhivago”u botua për herë të parë në një version italian në vitin 1957, ndërsa CIA ndihmoi në prodhimin dhe shpërndarjen e kopjeve në gjuhën ruse gjatë “ExpoBrussel” 1 vit më vonë.
Gjatë asaj kohe, Kamy ishte vazhdimisht në kontakt me Pasternakun. Kateli përshkruan letratplot admirim që i dërgonin njëri-tjetrit,bashkë me raportet se Kamy kërkoi të ndikonte tek juria për t’i dhënë Pasternak Çmimin Nobel në Letërsi.
Në fakt, Pasternak e fitoi Nobelin në vitin 1958 – një vit pasi Kamy fitoi të tijin – duke vënë jo pak në siklet sovjetikët, që e detyruan atë ta refuzonte çmimin. Në një shtojcë të librit, Kateli përshkruan depërtimin e gjerë të shërbimeve sekrete franceze nga agjentët sovjetike gjatë viteve të pasluftës, dhe zbulon se avokati dhe aktivisti algjerian i pavarësisë Zhak Verzhe, kishte dëgjuar mbi përfshirjen e KGB-së në vdekjen e Kamy. / The Wall Street Journal – Bota.al