Vdekje e dyshimtë në Gjilan, foshnja dy muajshe ndërron jetë në emergjencë dhe trupi dërgohet për obduksion
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, foshnja ishte sjellë për trajtim mjekësor në emergjencën e spitalit të Gjilanit, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Një foshnjë dy muajshe ka ndërruar jetë në Gjilan, pasi ishte sjellë për trajtim mjekësor në emergjencën e spitalit të qytetit, raporton “Betimi për Drejtësi” duke iu referuar raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit policor, rasti është regjistruar më 14 tetor, rreth orës 12:15, kur emergjenca e spitalit ka njoftuar se foshnja ishte sjellë për tretman mjekësor, por më pas kishte ndërruar jetë. Vdekjen e foshnjës e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Policia e ka cilësuar rastin si vdekje të dyshimtë dhe ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave. Deri më tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, rezultatet e të cilit pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes, njofton edhe Gazeta Shneta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.