Vdiq në moshën 84 vjeç ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dennis Hastert
Dennis Hastert, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe republikani që e mbajti më gjatë këtë post në historinë e partisë së tij, vdiq të shtunën më 3 tetor në shtëpinë e tij në Illinois, në moshën 84 vjeç. Vdekjen e konfirmoi të hënën koronerja e Kendall County, Jacquie Purcell, siç njofton USA Today.
Hastert, i cili ishte nën kujdes paliativ, ndërroi jetë nga shkaqe natyrore, njoftoi zyra e koronerit. Ai lindi më 2 janar 1942 në Aurora të Illinoisit, punoi për vite si mësues historie dhe trajner mundjeje, dhe u zgjodh për herë të parë në Kongresin amerikan në vitin 1986.
Në vitin 1999, pas dorëheqjes së Newt Gingrich, Hastert u ngjit në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, post të cilin e mbajti deri në vitin 2007 — mandati më i gjatë i një republikani në atë detyrë. Gjatë kryesimit të tij, Dhoma kaloi nëpër momente dramatike të historisë amerikane: gjyqin e shkarkimit (impeachment) të presidentit Bill Clinton, sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe krizën e anthrax-it. Nën udhëheqjen e tij u miratuan shkurtime të mëdha tatimore të presidentit George W. Bush, si dhe zgjerimi i përfitimeve farmaceutike në programin Medicare.
Por karriera e tij politike u errësua rëndë në fund. Në vitin 2015, FBI nisi hetime ndaj tij dhe një vit më vonë Hastert u dënua me 15 muaj burg për mashtrim bankar: ai kishte bërë tërheqje të strukturuara bankare për të paguar rreth 3.5 milionë dollarë si pagesë heshtjeje ndaj një ish-nxënësi që kishte abuzuar seksualisht. Në gjyq, Hastert pranoi se kishte “keqtrajtuar” disa adoleshentë mundësish, ndërsa gjyqtari e quajti atë “serial child molester”. Ai vuajti 13 muaj burg dhe jetoi larg vëmendjes publike pas tërheqjes nga Kongresi në vitin 2007.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.