Veliaj në Serbi: Tirana, qyteti ideal për të investuar
“Tirana mbetet qytet ideal në Ballkan, për kompanitë e huaja që duan të zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri”.
Kështu u shpreh, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës një ditore në Serbi, me ftesë të kryebashkiakut të Beogradit, Sinisa Mali, për të marrë pjesë në forumin “Ditët e Investimeve në Beograd”.
Në fjalën e mbajtur në forum përpara kryebashkiakëve të rajonit, diplomatëve dhe investitorëve të rëndësishëm nga e gjithë bota, Veliaj prezantoi projektet transformuese të Tiranës, potencialet e saj për tërheqjen e investimeve të huaja si dhe të bashkëpunimit rajonal, për të mundësuar realizimin e projekteve të përbashkëta.
Ai e cilësoi prezantimin e Tiranës në këtë forum si një mundësi fantastike për promovimin e kryeqytetit, si dhe avantazhet shumë herë më konkurruese krahasuar me qytetet e tjera të rajonit.
“Sot, në fakt, Tirana është i vetmi qytet që po rritet. Shumica e qyteteve në Ballkan po tkurren edhe për efekt të moshës. Do të thotë që, shumë prej kompanive që investojnë në Ballkan dhe që ishin në këtë forum, janë duke kërkuar një vend ku ka mjaftueshëm talent në moshë të re që mund të punojë, që di gjuhë të huaja dhe që ka aftësitë kryesore për të punuar në një kompani multinacionale”, tha ai.
Duke e cilësuar Tiranën si qytetin ideal të investimeve në Ballkan, Veliaj theksoi se qyteti ofron shumë mundësi për kompanitë e huaja që duan të zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri.
Kreu i Bashkisë tha se Tirana është e hapur për të mirëpritur investime në zonën e re ekonomike të kryeqytetit, ku bizneset do të kenë mjaft lehtësira, duke shmangur edhe burokracitë e panevojshme. Ndryshimet që ka pësuar qyteti falë investimeve të Bashkisë, duke rritur ndjeshëm edhe vlerën e pronës, si dhe duke gjeneruar mundësi të reja për të kryer biznes, kanë ngjallur interesin e mjaft kompanive të huaja, të cilat dëshirojnë që të shtrijnë aktivitetin e tyre edhe në vendin tonë.
Sipas materialit të dërguar nga zyra e bashkisë së Tiranës, forumi “Ditët e Investimeve në Beograd” është një platformë e bashkëpunimit ekonomik që mbledh bashkë përfaqësues të trupit diplomatik, ministrive, investitorëve, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, banka e kompani të huaja dhe vendase, përfaqësues të Fondeve, Dhomave të Tregtisë, nga Evropa Juglindore, Qendrore dhe Jugperëndimore, Rusia, Pellgu Kaspik, Kina dhe Lindja e Mesme.