Kosova

Veseli: Së shpejti fitorja e historike e PDK-së, Thaçi president

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur fitore historike për PDK-në, ditën kur shefi i partisë së tij, Hashim Thaçi, do të bëhet president i vendit.

Për këtë ai nuk dyshon se do të ndodhë. Megjithatë, Veseli, teksa ka folur në Kuvendin e IV-të zgjedhor të Gruas Demokratike të PDK-së, ka thënë se Thaçi do të zgjidhet direkt nga qytetarët e Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës shumë shpejt do të kurorëzojë edhe një nga fitoret e mëdha, e cila do të jetë fitore historike e PDK-së, një garë të cilën do ta kemi shumë shpejt për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejt nga qytetarët e Republikës së Kosovës, kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi”, citon Kosovapress, kreun e Kuvendit Kadri Veseli.

Aty ka qenë edhe pretendenti për të parin e vendit, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Por ai foli për rolin e gruas në shoqëri. Këtë degë të partisë së tij e cilësoi si shumë të fortë.

“Ju jeni organizata më e fuqishme e gruas jo vetëm në kuadër të organizimeve politike në Kosovë por edhe në rajon. Ju keni udhëhequr një organizatë të gruas që ka shënuar suksese të njëpasnjëshme dhe keni dhënë kontribut për fitoret e njëpasnjëshme të PDK-së”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se PDK do të vazhdojë të ketë rol prirës në skenën politike në vend. Thaçi theksoi rëndësinë e angazhimit të gruas në të gjitha proceset që ka kaluar vendi, si dhe zhvillimeve aktuale, atë të integrimeve evropiane.

Bazuar në një komunikatë për shtyp të PDK-së, raportin e punës e lexoi Dr. Flora Brovina, dhe Kuvendi po i vazhdon punimet sipas rendit të ditës. Në Kuvend zgjedhor po marrin pjesë më shumë se 500 përfaqësuese të të gjitha degëve të Gruas Demokratike, si dhe mysafire nga vendi dhe bota.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button