Vettingu “alarmon” gjyqtarët dhe prokurorët, shkon në 8 numri i të vetëpërjashtuarve
Shtohet lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i shmangen procesit të vettingut.
Ibrahim Hoxha dhe Shyqyri Çobo nuk kanë dorëzuar deklaratat në KLD.
Pak para se të mbaronte afati i dorëzimit të formularëve të vettingut, pesë anëtarë të sistemit të drejtësisë i kërkuan presidentit dorëheqjen e tyre.
I gjashti ishte dhe emri më surprizë: gjyqtari kushtetues Vladimir Kristo, i cili nuk e dorëzoi formularin e pasurisë në ILDKPI.
Kristo ka paraqitur argument pragun e pensionit, por de fakto ai është vetëpërjashtuar kështu nga procesi i vettingut.
Edhe gjyqtares së lartë Mirela Fana, e mandatuar në vitin 2009 si anëtare e kësaj gjykate, iu miratua dorëheqja nga mandati jo vetëm nga kreu i shtetit, por edhe nga kolegjet e bashkuara.
Me pretendimin se i duhet kohë për t’u thelluar në jetën akademike, gjyqtarja e lartë Fana ka dhënë dorëheqjen edhe nga depozitimi i formularit të pasurisë pranë ILDKPI, ndonëse nuk ka munguar plotësimi prej saj i formularit të karrierës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kristo dhe Fana japin dorëheqjen kështu edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ku ishin zgjedhur me short pak ditë më parë.
Ndërkohë, për dy organet e reja të qeverisjes së drejtësisë që pritet të ngrihen, pasditen e së martës Avokati i Popullit publikoi listën e personave që aplikuan për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me16 kandidatë nga radhët e avokatëve për KLGJ dhe 13 për në KLP.
Përveç Fanës dhe Kristos dhanë dorëheqjen dhe iu shmangën vettingut edhe Ilir Çeliku, i dorëhequr pranë presidentit sikurse Ilir Pashaj, Drita Velija dhe Sulejman Tola.