“Victoria’s Secret” rrezikon falimentimin?
Ajo është një markë që shpenzon miliona dollarë në shfaqje televizive vjetore, kontrollon 35 për qind të tregut të të brendshmeve dhe çdo tremujor ka konsoliduar shitjet e saj.
Por së fundmi “Victoria’s Secret” po përballet me kohë të vështira. Disa nga “ëngjëjt” e saj, përfshirë Karlie Kloss dhe Doutzen Kroes, e kanë braktisur, ndërsa kompani të tjera mode po ofrojnë produkte të së njëjtës cilësi me çmime më të ulëta.
Gjithashtu, klientet “plus-size” sa vjen e po shtojnë peticionet drejtuar shefave të kompanisë së modës për të ofruar veshje me përmasa më të mëdha.
“Ashtu si kompani të tjera më parë, si për shembull “Abercrombie & Fitch”, edhe “Victoria’s Secret” rrezikon seriozisht të humbasë rëndësinë e saj tek gratë, pasi marka është etiketuar si shumë seksiste”, ka thënë eksperti i tregjeve të modës, Jeetendr Sehdev për “Business Insider”.
“Abercrombie & Fitch” sundoi për vite të tëra sektorin e veshjeve për adoleshentet, por humbi ndjeshëm terren kur dështoi me përshtatjen ndaj tregut pas shfaqjes së kompanive të tjera si “H&M” dhe “Forever 21”. Gjithashtu, edhe ajo u kritikua për mungesën e rrobave për kategorinë “plus size” në dyqanet e saj.
“Mendoj se “Victoria’s Secret” duhet të rreshtë së fshehuri prapa shkëlqimeve verbuese dhe koncepteve të viteve ’70 si “ëngjëjt” apo “fantasy bra” dhe të fillojë një dialog të mirëfilltë me gratë”, ka shtuar Sehdev.