Kronika

“Videoja e dytë me Bamin nuk është gjetur”

Dosja “Doshi”

Ekspertimet nuk gjejnë gjurmë të regjistrimit audio dhe video. “I penduari”: Doshi me kërcënoi me armë. Mungesa e videos mund të rrëzojë akuzën e kanosjes

Nga Sokol Çobo
Deputeti i PKD, Tom DoshiProkuroria nuk ka gjetur asnjë gjurmë të videos së dytë të Durim Bamit dhe Tom Doshit, ku flitet për “komplotin” ndaj deputetit shkodran, emrat e përfshirë dhe pagesat e kryera. Gjatë ekspertimeve të kompjuterit të sekuestruar, por edhe të USB-së, hetuesit e çështjes nuk kanë gjetur regjistrimin audio dhe video, çka mund të lehtësojë nga përgjegjësia penale deputetin shkodran. Referuar deklarimeve të të “penduarit”, i cili pretendoi se në videon e dytë është kërcënuar me armë në kokë nga Tom Doshi, akuza dyshon se deputeti mund të kishte konsumuar elementet e veprës penale të kanosjes për deklarime, krahas dëshmisë dhe kallëzimit të rremë. Mungesa e kësaj videoje ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e hetimeve, pasi në këtë rast, akuza ka vetëm deklarimet e Bamit dhe asnjë provë shoqëruese, që do të faktonin për ekzistencën e kësaj videoje të dytë. Sipas dosjes, deri më tani Doshi nuk ka deklaruar nëse videoja e dytë ekziston.

Ekspertimet e sendeve
Prokuroria kërkoi në javën e fundit të muajit mars të këtij viti autorizimin për të arrestuar dhe të kontrolluar ambientet e deputetit Tom Doshi. Procedurat për heqjen e imunitetit zgjatën disa ditë, ndërsa akuza kërkonte me çdo kusht edhe videon e dytë, që mund të faktonte akuzën e kanosjes. Gjatë kontrollit në vendqëndrimet e deputetit, akuza ka gjetur disa kompjuterë, USD ose edhe pajisje të tjera elektronike, të cilat u janë nënshtruar ekspertimeve. Nga të dhënat e deritanishme, hetuesit e çështjes kanë mësuar se videoja e dytë nuk është gjetur në këto sende. Vetë deputeti Tom Doshi ka depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një USB, me regjistrimin e parë që zgjat 37 minuta, ku në qendër të filmimit është pikërisht Durim Bami, që pyetet për komplotin, emrat që e organizuan apo edhe shumat e paguara. Prokuroria kërkoi në këtë pajisje edhe për regjistrimin e dytë, duke rikthyer edhe materialet e fshira në të kaluarën, por nuk u gjet ndonjë gjurmë. Në USB-në në fjalë, akuza ka sekuestruar edhe disa fotografi të disa personave që ndodheshin në lokalin VIVA në zonën e Bllokut, ku sipas Doshi, ishte thurur edhe plani i vrasjes së tij. Këto foto dyshohet se janë kryer nga disa të afërm të deputetit të Pukës, Mark Frroku.

Çështja “Doshi”
Në materialin që prokuroria dërgoi në Kuvend, shpjegohej edhe ekzistenca e videos së dytë. “Referuar shpjegimeve të Durim Bamit, ekziston dhe një regjistrim tjetër audio dhe video i bërë në rezidencën e shtetasit Tom Doshi në Durrës. Në këtë regjistrim, Durim Bami është detyruar nën kërcënimin e armës nga ana e shtetasit Tom Doshi që të deklarojë në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe për personat që e kanë organizuar, ku emrat e të cilëve janë diktuar nga Tom Doshi. Ky filmim posedohet nga Tom Doshi dhe nuk është vënë në dispozicion të hetimit”, thotë akuza. Referuar këtyre veprimeve, akuza dyshon se Doshi ka kryer edhe veprën penale të kanosjes për deklarime a dëshmi. Ndërkohë, burime nga prokuroria thanë se në videon e dytë, Doshi donte të tregonte se Bami kishte pranuar planin kriminal, i detyruar nga pistoleta që mbante në dorë politikani. Mësohet se video është regjistruar në fund të gushtit ose në ditët e para të shtatorit të vitit 2014. Durim Bami ka treguar se Doshi e ka cilësuar skenën me pistoletë në dorë si jo shumë të besueshme dhe ka organizuar një regjistrim të videos së dytë në muajin tetor. Është pikërisht ajo video e dytë që Tom Doshi e ka publikuar, por edhe ia ka vënë në dispozicion hetuesve të çështjes. Mësohet se deri më tani nuk është gjetur videoja dhe pistoleta.

Krahas mungesës së videos, prokuroria nuk ka gjetur as pistoletën e përdorur nga Doshi në këtë regjistrim

Videoja e dytë
“Referuar shpjegimeve të Durim Bamit, ekziston dhe një regjistrim tjetër audio dhe video i bërë në rezidencën e Tom Doshit në Durrës. Në këtë regjistrim, Durim Bami është detyruar nën kërcënimin e armës nga ana e Tom Doshit që të deklarojë në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe për personat që kanë organizuar, ku emrat e të cilëve janë diktuar shtetasi Tom Doshi. Ky filmim posedohet nga Doshi, dhe nuk është vënë në dispozicion të hetimit”

Akuza
Për “kërcënimin” ndaj Bamit, prokuroria thotë se Tom Doshi ka konsumuar elementet e veprës penale të kanosjes për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim i rremë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button