Vizita në Bruksel, kryeministri Rama zhvilloi takim me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel për Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, ndërsa Agjencia për Media dhe Informim (MIA) e cilësoi takimin si “një moment të rëndësishëm për procesin e zgjerimit dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.
Propozimi për përfshirjen e rajonit në tryezën evropiane
Paraditen e sotme, gjatë fjalës së tij në Forumin e II-të të Zgjerimit, Kryeministri Rama kërkoi një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke propozuar që shtatë vendet e rajonit të ulen rreth tryezës evropiane, pa ndryshuar parimin bazë të integrimit të mbështetur në meritë.
Sipas tij, ndonëse Plani i Rritjes është një instrument pozitiv i Komisionit dhe BE-së, “hendeku vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa u takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme”.
Rama kundërshtoi gjithashtu idetë për krijimin e formave alternative të anëtarësimit, siç është propozimi për një status të asociuar për Ukrainën, duke argumentuar se një lëvizje e tillë do të devijonte procesin e reformave.
Duke analizuar dinamikën e integrimit, kreu i qeverisë shqiptare bëri një dallim mes punës teknike të Komisionit Evropian dhe vullnetit politik të shteteve anëtare. Ai theksoi se ndërsa Komisioni kërkon reforma që i përmirësojnë vendet kandidate, “politika e BE shpesh na zhgënjen, na rrëzon për shkak të dobësisë së saj apo për shkak të konflikteve të brendshme nga njëri shtet anëtar në tjetrin”.
Për të ilustruar nevojën e një vendimmarrjeje strategjike, Rama solli në vëmendje shembullin historik të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe bashkimit të Gjermanisë, duke shprehur shpresën se Europa do të gjejë sot “momentin e saj Helmut Kohl”. Sipas tij, Këshilli dhe shtetet anëtare duhet t’i sjellin të shtatë vendet e rajonit në tryezë, ndërsa përfitimet konkrete të mbeten të lidhura me rezultatet individuale të secilit vend.
Rama paralajmëroi për rreziqet gjeopolitike që vijnë nga mbajtja e rajonit jashtë strukturave europiane, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk prek vetëm Shqipërinë — e cila sipas tij nuk ka marrëdhënie me Rusinë dhe mbetet plotësisht e orientuar drejt BE-së — por sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.