“Administratë të jetë neutrale”- PD bën gati dokumentin për Reformën Zgjedhore pas vetos: Të ndalohet patronazhimi!
Pas vendosjes së vetos në mbledhjen e fundit nga Partia Demokratike, puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore ka ngecur, por, teksa afatet po ngushtohen, palët po vijojnë punën për të pasur draftet gati.
A2 CNN raporton se ka siguruar këtë dokument, që tregon qëndrimin e selisë blu se çfarë duhet të ndryshojë në ligjet elektorale për të pasur një administratë neutrale në zgjedhje, në mënyrë që partia në pushtet të ndahet nga shteti.
Garancia pesëvjeçare për punonjësit është një ndër faktorët që ndikon në depolitizim dhe për të mos i detyruar ata të votojnë me urdhra.
Propozimi i Partisë Demokratike: “Regjimi pesëvjeçar është kornizë kalimtare, jo ndalim i pandërprerë i veprimtarisë politike gjatë pesë viteve. Përgjatë periudhës pesëvjeçare, jashtë periudhave zgjedhore veprojnë ndalimet e përhershme të presionit, patronazhimit dhe përdorimit partiak të funksionit.
Me afrimin e votimit aktivizohen, në afate të parashikuara shprehimisht në ligj, barriera të shkallëzuara: nga dekretimi, nga dita e 75-të përpara votimit, gjatë fushatës 30-ditore dhe pas votimit deri në kalimin efektiv të pushtetit. Intensiteti i mbrojtjes rritet me afërsinë e zgjedhjeve dhe me kompetencat hierarkike të personit”.
Në përfundim të kësaj periudhe do të rishikohet mundësia e zgjatjes së kësaj garancie.
Propozimi i Partisë Demokratike: “Vijimi për një periudhë tjetër, jo më të gjatë se pesë vjet, bëhet vetëm me vendim të shprehur të Kuvendit, sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar paraprakisht në ligj. Në mungesë të këtij vendimi, masat e posaçme përfundojnë, ndërsa ndalimet e përhershme kundër patronazhimit dhe presionit politik mbeten në fuqi”.
Patronazhimi, sipas demokratëve, është plaga më e madhe e zgjedhjeve, ndaj këtë fenomen thonë se duan ta çrrënjosin.
Propozimi i Partisë Demokratike:
“Ndalohet lidhja, e shprehur ose e nënkuptuar, e rekrutimit, karrierës, vlerësimit, disiplinës ose mbajtjes në punë me pjesëmarrjen në aktivitete politike, sigurimin e votave, kontaktimin e zgjedhësve, publikimin në rrjetet sociale apo raportimin mbi sjelljen e kolegëve. Ndalohet kërkimi i listave me emra zgjedhësish, kuotave të përcaktuara të zgjedhësve, raporteve dhe provave të angazhimit politik të punonjësit, përfshirë fotografi ekrani, tabela renditjeje dhe sisteme pikëzimi. Ky ndalim është i përhershëm”.
Sipas Partisë Demokratike, organi që do të merret me zbatimin e këtyre rekomandimeve do të jetë nënkomisioneri i KQZ-së. Ky dokument i Partisë Demokratike do të shqyrtohet këtë të mërkurë në mbledhjen e radhës të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.