Vjedhja tek Union Bank, shoqata e bankave: Do të bashkëpunojmë me organet e sigurisë
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) duke marrë shkas nga grabitja e ndodhur së fundi në ambientet e njërës prej bankave anëtare të saj, theksoi sot me anë të një njoftimi për shtyp se, kjo ngjarje ka sensibilitet për të gjithë sistemin bankar dhe veçanërisht për punonjësit e njësive të sigurisë, që janë të angazhuar për mbrojtjen si të ambienteve të bankave ashtu edhe të klientëve të tyre.
Sipas AAB, “denigrimi i rolit të punonjësit të sigurisë ndikon negativisht në vijimësinë e punës me pasojë cënimin e sigurisë së bankave tregtare. Përgjegjësia ligjore për përcaktimin e fajësisë i përket vetëm organeve kompetente”.
Strukturat e sigurisë së bankave tregtare janë dhe do të jenë gjithmonë të gatshme për të bashkëpunuar me organet përkatëse shtetërore për investigimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tilla dhe kapjen e autorëve të tyre, pa përjashtuar në asnjë rast edhe investigimin nga ana e këtyre organeve ndaj tyre, thuhet në njoftim.
AAB dhe bankat anëtare të saj theksojnë se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me organet kompetente për të garantuar integritetin dhe sigurinë e sistemit bankar në vend.