Ekonomia

Analizë/ Ndërmarrjet SME kryesojnë eksportet dhe importet

Në harkun kohor 2011-2014, numri i ndërmarrjeve eksportuese dhe importuese të mallrave ka ardhur duke u rritur, pasi në vitin 2014 arriti në 2.387, nga 1.943 ndërmarrje, që ishin në vitin 2011, me rritje 22,9 %.

Vërehet gjithsesi se ndërmarrjet e mesme kryesojnë si në eksportet, edhe në importet e mallrave.
Ndërmarrjet importuese nga 7.456 të konstatuara në vitin 2011, arritën në 8.357 në vitin 2014, duke u rritur 12,1 %, sipas INSTAT-it.

Pavarësisht këtyre statistikave, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në harkun kohor (2011-2014) zënë 96,6% në grupin e ndërmarrjeve me aktivitet eksportues dhe 98,4% të ndërmarrjeve importuese gjithsej. Në vitin 2014, numri i NMVM eksportuese arriti në 2.305 ndërmarrje, me rritjen 23,3 %, krahasuar me vitin 2011, ndërsa numri i NMVM importuese arriti në 8.225, me rritjen 12,1 %, krahasuar me 2011.

Në 4 vitet e fundit vlerën më të madhe të eksporteve e zënë ndërmarrjet në sektorin e industrisë, si në industrinë nxjerrëse, përpunuese, energji elektrike dhe ujë. Në vitin 2014, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë kanë zënë 83,0 % të vlerës së eksporteve, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me vitin 2011.

Në importet, në vlerë kryesojnë ndërmarrjet në sektorin e tregtisë, si me pakicë, shumicë dhe riparimi i automjeteve, të cilat zunë 54,9 % të vlerës së importeve, duke u rritur me 8,3 % krahasuar me vitin 2011.

Në vitin 2014, sipas madhësisë së tyre, ndërmarrjet eksportuese mikro me 1-9 të punësuar, zunë 50,8 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet e vogla me 10-49 të punësuar zunë 31,6 % të totalit, ndërmarrjet e mesme me 50-249 të punësuar, zunë 14,2 % dhe ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar, 3,4 % ndaj totalit.

Në vitin 2014 ndaj totalit të ndëmrarrjeve importuese, u konstatua se ndërmarrjet importuese mikro zunë 69,9 %, ndërmarrjet importuese të vogla zënë 21,3 %, ndërmarrjet importuese të mesme 7,1 % dhe ndërmarrjet importuese të mëdha me mbi 250 të punësuar 1,6 % të ndërmarrjeve importuese gjithsej.

Në 2014, ndërmarrjet e mëdha zunë 60,4 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve në sektorin e industrisë, ku ato mikro, të vogla dhe të mesme zunë 84,3 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë.

Në importe, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zunë 50,2 % të vlerës së importeve të ndërmarrjeve në sektorin e industrisë dhe 94,2 % të vlerës së importeve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button