Vlora mirëpret Bordin e Akademisë Evropiane të Filmit, synohen bashkëpunime të reja
Bordi i Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy) zhvilloi në Shqipëri mbledhjen e radhës treditore, duke sjellë në Vlorë producentë dhe kineastë të njohur evropianë.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, anëtarët e Bordit u njohën me profesionistë shqiptarë të industrisë së filmit, si dhe me historitë, kulturën dhe potencialet e Shqipërisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe për të promovuar vendin si destinacion për produksione filmike ndërkombëtare.
Vizita e kineastëve evropianë pati edhe mikpritjen e bashkisë së Vlorës. Kjo nismë e kisneastëve synon të krijojë më shumë hapësira për historitë shqiptare në kinematografinë evropiane, si dhe të rrisë mundësitë e përfshirjes së kineastëve shqiptarë në projekte dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.
Akademia Evropiane e Filmit, e themeluar në vitin 1989 pas nismës së një grupi kineastësh të njohur evropianë, është një organizatë jofitimprurëse që mbështet dhe promovon kinematografinë evropiane. Ajo bashkon rreth 5700 profesionistë të industrisë së filmit nga 60 vende dhe organizon çdo vit Çmimet Evropiane të Filmit (European Film Awards), të cilat vlerësojnë arritjet më të rëndësishme të kinemasë evropiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.