Vokshi: Spitalet në situatë dramatike, Rama e Beqaj ndajnë milionat
Deputetja e PD, Albana Vokshi ka denoncuar këtë të hënë “situatën dramatike” në të cilën ndodhen spitalet në vend, që është, sipas saj, pasojë e korrupsionit qeveritar.
“Në çdo pavion ka mungesa bazike, por më e rëndë është gjendja tek Onkologjiku, ku trajtohen të sëmurët me kancer. Në pavionin e onkologjikut, radha për mjekimin e jetës është shkak i korrupsionit”, ka thënë Vokshi.
Deputetja e opozitës ka publikuar disa fakte të denoncuara sipas saj nga pacientë të prekur nga sëmundjet tumorale dhe familjarë të tyre.
“Teksa Ilir Beqaj me Edi Ramën kanë tenderuar mbi 300 milionë euro, duke i ndarë me miq e klientë, tek onkologjiku prej muajsh nuk funksionon siç duhet asnjëra nga aparaturat e kobaltit. Ndërkohë, akseleratori linear, financim i qeverisë demokratike, ende nuk është vënë në funksionim pavarësisht se u inaugurua nga kryeministri në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj Kancerit”, ka thënë Vokshi.
Sipas saj, kobalti i vetëm që punon është kthyer në rrezik rrezatimi të dëmshëm, pasi ka 8 vjet pa u ndërruar.
“Por ajo çka e bën edhe më skandaloze është fakti që pacientët nuk njoftohen e nuk paralajmërohen për efektet negative të përdorimit tek ta të pajisjeve të kobaltit”, ka thënë më tej Vokshi.
Ndërsa nga ana tjetër, ka vijuar ajo, “Edi Rama e Ilir Beqaj vazhdojnë të krekosen, të mburren e të mendojnë se si të ndajnë miliona euro të tjera me miqtë e tyre”.
“Ndërkohë që Rama pretendon që 120 milionë euro të dhëna mikeshës dhe sponsores së tij mund të shpëtojnë 450 pacientë në 10 vjet, vetëm nga moskurimi i pacientëve më sëmundje të rënda mund të humbin jetën qindra qytetarë në vit”, ka shtuar Vokshi.