Kronika

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, në verifikim një shtetas anglez

Një shtetas anglez është në verifikim për vrasjen e biznesmenit dhe politikanit lokal, Ardian Nikulaj ndodhur 3 ditë më parë, në lokalin e tij “CORAL” në Shëngjin. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se ky i fundit ka qenë duke pirë kafe brenda lokalit në momentin e ngjarjes dhe menjëherë pas të shtënave është larguar. Nga verifikimet e sistemit TIMS, anglezi rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me 14 prill dhe është larguar mbrëmjen 19 prillit disa orë pas ngjarjes.

Përgjatë 5 ditëve, ai ka qëndruar në një hotel në vijën e parë të plazhit rreth 1 km larg lokalit të viktimës. Grupi hetimor po verifikon nëse diçka e tillë ka qenë një rastësi, apo shtetasi i huaj mund të jetë përdorur në rolin e informatorit për të realizuar krimin. Për shkak të largimit të shpejtë përmes aeroportit të Rinasit drejt Britanisë në Madhe, hetuesit nuk kanë pasur mundësi ta pyesin shtetasin anglez, por po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse është parë duke lëvizur edhe ditë të tjera para ngjarjes pranë kompleksit “CORAL”. Nga sa Report Tv mëson janë pyetur punonjësit e hotelit ku qëndroi 5 ditë si edhe është pyetur taksisti që e çoi në Rinas, por deri më tani nuk ka më shumë të dhëna që mund të ndihmojnë grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes.

Ekzekutimi mafioz i biznesmenit dhe politikan, anëtar i Këshillit Bashkiak, Ardian Nikulaj mesditën e së mërkurës në Shëngjin vijon të mbetet pa autor, pasi identifikimi i personit që ka kryer krimin është mjaft i vështira. Me qëllim zbardhjen e ngjarjes, policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës po kalon në sitë të gjitha konfliktet që mund të ketë pasur viktima.

Për pistat e hetimit, policia vijon të mbetet e dyzuar, kjo edhe për shkak se viktima kishte një aktivitet të gjerë në biznes, politikë dhe gjakmarrje të vjetër me familjen Palaj. Ndërkohë në kuadër të hetimeve me qëllim zbardhjen e ngjarjes, policia ka shkuar në tre banesa të familjes Palaj në Lezhë, por nuk janë gjetur në banesë, asnjë prej familjarëve dhe djemve. Ata ndodhen jashtë shtetit dhe pretendimi i tyre është konfirmuar dhe nga TIMS, që tregon daljen e tyre jashtë shtetit disa vite më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Artikuj te ngjashem

Back to top button