Vuçiç takohet me Zelenskin në Hutë të Ukrainës: “Evropa Qendrore dhe Lindore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Serbinë”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fshatin malor Hutë të Ukrainës, në margjinat e samitit të Iniciativës Karpatike. Takimi bilateral u zhvillua në kuadër të përpjekjeve rajonale për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Evropën Qendrore e Lindore.
Vuçiç theksoi bashkëpunimin me Ukrainën, Rumaninë dhe Poloninë, duke i cilësuar si shtete të mëdha e me ndikim në Evropë. Sipas tij, Evropa Qendrore dhe Lindore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Serbinë, ndërsa Beogradi po forcon lidhjet me vendet e rajonit.
Ai vuri në dukje se ishte interesant fakti që pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në samit ngritën kundërshtime lidhur me Ukrainën, duke shtuar se Hungaria nuk kishte përfaqësues. Detaje të tjera nuk dha: “Njerëzit seriozë dhe të përgjegjshëm gjëra të tilla nuk i nxjerrin në publik”, deklaroi presidenti serb.
Vuçiç zhvilloi gjithashtu një takim të përzemërt me kryeministrin polak, Donald Tusk, me të cilin bisedoi për paqen, stabilitetin dhe vendin e Serbisë në familjen evropiane. Ai bëri të ditur se kompani serbe dhe Agjencia e Zhvillimit të Serbisë ishin dërguar në samit për të prezantuar mundësitë ekonomike të vendit.
Samiti i Iniciativës Karpatike synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin në Evropën Qendrore e Lindore, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të rajonit.
Burimi: Newsmax Balkans



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.