Vuçiq shet imazhin e Serbisë në SHBA, rrugët e Beogradit glorifikojnë Mlladiqin
Derisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe po zhvillon takime me përfaqësues ndërkombëtarë, në rrugët e Serbisë po shfaqen murale të reja në glorifikim të Ratko Mladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Presidenca e Serbisë ka njoftuar se Vuçiq ndodhet në Nju Jork për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe se gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë takime bilaterale me liderë botërorë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, e përjavshmja serbe “Vreme” raporton për një valë të re muralesh dhe grafitesh kushtuar Mladiqit në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë.
Një prej tyre është shfaqur në qendër të Beogradit, pranë një stacioni policor. Në rrugën Majke Jevrosima, përballë ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, është shfaqur një mural ku Mladiqi cilësohet “hero që do të jetojë përgjithmonë”, ndërsa në versionin fillestar të grafitit përmendej edhe Srebrenica.
Fjala “Srebrenicë” më pas është zëvendësuar me fjalën “dashuri”.
Mladiqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare, përfshirë për gjenocidin në Srebrenicë.
Drejtoresha e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, ka deklaruar se muralet e reja nuk duhet të konsiderohen raste të izoluara.
Sipas saj, bëhet fjalë për një veprim të koordinuar dhe jo për iniciativa të rastësishme të individëve. Ajo ka thënë se qytetarët kanë raportuar murale të shumta të reja pas funeralit të Mladiqit.
Nisma thotë se ndër vite ka raportuar qindra raste të tilla tek autoritetet lokale, por se shumë prej tyre nuk janë hequr.
Glorifikimi i Mladiqit në hapësirat publike të Serbisë nuk është fenomen i ri.
Një prej muraleve më të njohura ishte shfaqur në Beograd në vitin 2021, menjëherë pasi dënimi i tij me burgim të përjetshëm u bë përfundimtar. Përpjekjet e aktivistëve për ta larguar apo mbuluar atë shkaktuan përplasje dhe ndërhyrje të policisë.
Vala e fundit e muraleve vjen vetëm disa javë pas funeralit të Mladiqit në Beograd.
“Vreme” raportoi se ai u varros me nderime ushtarake në varrezat e Topçiderit, ndërsa ceremonia fetare u drejtua nga patriarku serb Porfirije.
Sipas Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 16 mijë persona morën pjesë në ceremoninë e lamtumirës. Mes të pranishmëve ishin edhe disa ministra të Qeverisë së Serbisë, ish-ministri Aleksandar Vulin dhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb.
Kështu, ndërsa Vuçiq zhvillon aktivitet diplomatik në Nju Jork dhe takime me përfaqësues ndërkombëtarë, brenda Serbisë vazhdon debati për mënyrën se si vendi përballet me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90 dhe me glorifikimin publik të një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte./TheGeoPost/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.