Washington / Hoxha takim me Zëvendës Sekretarin e Shtetit Landau dhe Nën Sekretaren Hooker: Angazhim i përbashkët për forcimin e partneritetit strategjik
Në margjinat e Ministerialit mbi Rikthimin e Terrorizmit Politik në Washington, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit, Christopher Landau dhe me Nën Sekretaren Alison Hooker.
Me dy zyrtartët e lartë të DASH, Ministri Hoxha diskutoi një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe partnerit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Së bashku me Zëvendës Sekretarin Landau, dhe gjatë një takimi më të thelluar me Nënsekretaren Alison Hooker, diskutuam një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë me partnerin dhe Aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe riafirmuam angazhimin e përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë”, shkroi Hoxha në X.
Hoxha shtoi se diskutimet nënvizuan gjithashtu lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një miqësi e rrënjosur në vlera të përbashkëta dhe përforcuar nga dekada të tëra partneriteti të fortë.
Ky partneritet sipas tij, mbështetet nga një angazhim i palëkundur për lirinë, demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin.
Nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-ve, Allison Hooker reagoi gjithashtu në rrjetin social “X” pas takimit me ministrin Hoxha.
“Ishte një kënaqësi të takohesha me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë si dhe për mundësitë për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, theksoi Hooker.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.