Winston Churchilli, Zyrih 1946: “Tani, unë ju them: Le të ngrihet Evropa!”
Zyrih, 1946
Dëshiroj të flas sot për tragjedinë e Evropës, këtij Kontinenti fisnik… themelit të besimit kristian dhe etikës kristiane. Eshtë origjinë e pjesës më të madhe të kulturës, artit, filozofisë, dhe shkencës së kohërave të lashta dhe moderne. Nëse Evropa qe dikur e bashkuar në trashëgiminë e përbashkët, nuk kishte kufi në lumturinë, prosperitetin dhe lavdinë që gëzonin 300 apo 400 milionë banorët e saj. E megjithatë, pikërisht nga Evropa kanë buruar ato grindje të frikshme nacionaliste, që e kanë origjinën nga kombet teutonikë dhe në fuqizimin e tyre, luftëra që kemi parë në këtë shekull e që edhe në kohën kur jetojmë, shkatërrojnë paqen dhe gjymtojnë perspektivën e njerëzimit… Në zona shumë të gjera ekziston një masë e madhe qeniesh njerëzore të munduar, të uritur, të dërrmuar dhe të hutuar, që presin në rrënojat e qyteteve të tyre dhe shohin nga horizontet e errët, për afrimin e ndonjë forme të re tiranie apo terrori.
BABEL
Mes fitimtarëve ka një balet zërash, mes të mundurve një heshtje e zymtë dëshpërimi. Këtë kanë marrë të gjithë evropianët të grupuar në kaq shumë shtete e kombe të lashtë, dhe këtë kanë marrë të gjithë racat gjermanike, duke dëmtuar njëri-tjetrin dhe përhapur shkatërrim. Në fakt, po të mos kish qenë ajo republikë e madhe përtej oqeanit Atlantik, që kuptoi herët se shkatërrimi apo skllavërimi i Evropës do të mbërrinte dikur edhe atje, atëherë Epoka e Errësirës do të ish kthyer me të gjithë mizorinë dhe mjerimin e vet. Sërish mund të kthehet. E megjithatë ka një ilaç që, nëse do të përdorej përgjithësisht dhe spontanisht nga shumica e popujve në shumë vende, do të transformonte si në mrekulli të gjithë skenën dhe në pak vite do ta bënte Evropën, apo pjesën më të madhe të saj, po aq të lirë e të lumtur sa është Zvicra sot.
Çfarë është ky ilaç? Eshtë rikrijimi i “stofit” evropian, dhe sigurimi i një strukture nën të cilën ai mund të përparojë në paqe, siguri e liri. Ne duhet të ndërtojmë një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës. Vetëm në këtë mënyrë, qindra miliona punëtorë do të jenë në gjendje të rishijojnë gëzimet e thjeshtë dhe shpresat, të cilat e bëjnë të vlefshme jetën. Procesi është i thjeshtë. Nevojitet vetëm vendosmëria e qindra-miliona burra dhe gra për të bërë gjënë e duhur, dhe jo të gabuarën, dhe si shpërblim të marrin bekim dhe jo mallkim.
… Nuk ka asnjë arsye përse një organizatë rajonale e Evropës, të bjerë ndesh me organizatën botërore të Kombeve të Bashkuara. Përkundrazi, mendoj se sinteza më e madhe mund të mbijetojë vetëm nëse bazohet mbi grupime natyrorë.
Ekziston tashmë një grupim natyror në hemisferën perëndimore. Ne britanikët kemi komonuelthin e kombeve. Këta nuk e dobësojnë, përkundrazi, e forcojnë OKB. Dhe janë në fakt mbështetja kryesore.
… Ne të gjithë dimë se dy luftërat botërore që kaluam, e kishin burimin tek pasioni i kotë i Gjermanisë së sapobashkuar për të luajtur një rol dominues në botë. Në këtë betejë të fundit janë kryer krime dhe masakra të cilat nuk kanë paralel, që nga koha e pushtimeve mongole në shekullin 13. Fajtorët duhet të ndëshkohen…
Por pasi kjo të jetë kryer, siç do të kryhet, duhet t’i jepet fund ndëshkimit. Duhet të vijë ai që Gladstone e quajti vite më parë “Akti i bekuar i harresës”. Ne të gjithë duhet t’u kthejmë shpinën tmerreve të së kaluarës dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Nëse Evropa duhet të shpëtojë nga mjerimi i pafund dhe në fakt nga fundi i saj, duhet të vijë ky akt besimi në familjen evropiane, ky “akt harrese kundër të gjithë krimeve dhe marrëzive të së kaluarës”.
… Tani dua t’ju them diçka që do t’ju befasojë. Hapi i parë në rikrijimin e familjes evropiane duhet të jetë një partneritet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Vetëm në këtë mënyrë Franca mund të rifitojë lidershipin moral dhe kulturor të Evropës. Nuk mund të ketë ringjallje të Evropës pa një Francë të madhe shpirtërisht dhe pa një Gjermani të madhe shpirtërisht. Struktura e Shteteve të Bashkuara të Evropës do të jetë e tillë, që do ta bëjë më pak të rëndësishme forcën materiale të një shteti të vetëm. Vendet e vegjël do të kenë po aq rëndësi sa të mëdhenjtë, si dhe do të fitojnë nderin e tyre duke kontribuar në kauzën e përbashkët. Shtetet dhe principatat e lashta të Gjermanisë, lirisht u bashkuan në një sistem federal, kështu mund të ndodhë edhe me Shtetet e Bashkuara të Evropës.
KATËR LIRITË
Nuk do të përpiqem të ofroj një program të detajuar. Ka qindra-miliona njerëz që duan të jenë të lumtur e të lirë, në prosperitet e të sigurtë, të cilët duan të gëzojnë katër liritë, për të cilat foli Presidenti Ruzvelt, si dhe të jetojnë në përputhje me parimet e mishëruara në Kartën e Atlantikut. Nëse kjo është dëshira e tyre, nëse është dëshira e evropianëve nga shumë vende, ata mjafton ta thonë dhe me siguri që mund të gjenden mjetet për të ngritur makinerinë, e cila do të plotësonte këtë dëshirë.
Por më duhet t’ju paralajmëroj. Koha mund të jetë e shkurtër. Për momentin ka hapësirë frymëmarrje. Topat kanë pushuar së qëlluari. Luftimet janë ndalur, por rreziqet nuk janë ndalur. Nëse duhet të krijojmë Shtetet e Bashkuara të Evropës, apo çfarëdo emri që do të kenë, duhet të fillojmë që tani. Në këto kohë, ne jetojmë çuditërisht dhe të pasigurtë nën mburojën e bombës atomike. Bomba atomike është ende në duart e një shteti dhe kombi, që e dimë se nuk do ta përdorë asnjëherë, përvecse në kauzat e lirisë dhe të drejtës, por mund të ndodhë që pas disa vitesh ky mjet shkatërrimi mund të përhapej, dhe ai do të sillte jo vetëm një fund të qytetërimit, por edhe një shpërbërje të vetë globit.
Më lejoni tani të përmbledh propozimet e mia. Synimi ynë i pandryshueshëm duhet të jetë ndërtimi dhe forcimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Brenda këtij koncepti për botën ne duhet të krijojmë familjen evropiane, në një strukturë rajonale të quajtur – ndoshta – Shtetet e Bashkuara të Evropës, dhe hapi i parë praktik do të ishte krijimi i Këshillit të Evropës. Nëse në fillim shtetet e Evropës nuk duan, apo nuk janë në gjendje të hyjnë në union, ne megjithatë duhet të vazhdojmë duke afruar ata që duan dhe munden.
… Në këtë vepër urgjente, Franca dhe Gjermania duhet të marrin së bashku udhëheqjen. Britania e Madhe, Komonuelthi Britanik, Amerika dhe besoj, Rusia sovjetike duhet të jenë miq dhe mbështetës të Evropës së re, si dhe duhet të përkrahin të drejtën e saj për të jetuar. Kështu që, unë ju them: “Le të ngrihet Evropa!”.