Xhafaj, me drejtuesit e Antimafias: Bashkëpunim për shkëmbim informacionesh
Bashkëpunimi i mëtejshëm dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, si dhe masat kundër migracionit të paligjshëm, ishin çështjet e diskutuara në takimin mes ministrit Xhafaj në Trieste me homologun e tij italian Marco Minniti.
“Ministri i Brendshëm italian shprehu konsiderata të larta për rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Minniti siguroi për mbështetje të pakursyer dhe garantoi se bashkëpunimi do të jetë i frytshëm në këtë aspekt. Ministri Xhafaj e informoi homologun italian për rezultatet antikanabis dhe e falënderoi për ndihmën e rëndësishme që ka dhënë në vite, shteti italian në këtë operacion”, thuhet në njoftim.
Ministri italian vlerësoi gjatë takimit masat e marra nga pala shqiptare ndaj fenomenit të azilkërkimit dhe minorenëve të pashoqëruar, nisur edhe nga rezulatet konkrete falë këtyre masave.
Ata ranë dakord për një tjetër takim të afërt midis tyre, për të diskutuar projekte të tjera me interes për dy vendet, si dhe në kuadrin rajonal.
Ndërkohë në takimin që ministri Xhafaj zhvilloi me zv/ProkurorinAntimafia Del Prete, mori mbështetjen për nismën e tij për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, për të koordinuar shkëmbimin e informacionit.