Xhafzotaj, një biznes pularie merr vulën e cilësisë/ Meta: Vezët “Made in Albania’ së shpejti drejt BE-së
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i Bujqësisë, Zhillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti morrën pjesë të shtunën paradite, në përurimin e një investimi të ri, në sektorin e pularisë, në Xhafzotaj të Durrësit ku i dorëzuan sipërmarrësve te pularise Reas, “Vulën e Cilësisë” për standartet dhe sigurinë ushqimore që realizojnë në këtë biznes, të prodhimit të vezëve dhe mishit të pulës.
Meta, në fjalën e mbajtur me këtë rast, përgëzoi sipërmarrësit dhe u shpreh i kënaqur, për të dorëzuar “Vulën e Cilësisë” këtij biznesi, që edhe me mbështetjen e ministrisë së Bujqësisë, ka arritur standate, që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e prodhimeve ushqimore, përmes teknologjisë që përdorin për zhvillimin e shpendarisë dhe prodhimit të vezëve.
“Së shpejti Shqipëria do të nisë eksportin e vezëve në tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian duke promovuar edhe më tej produktet ‘Made in Albania”, u shpreh ai duke shtuar se “me këtë mundësi bëhet i mundur dyfishimi i prodhimit duke ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit”
“Vizioni i qeverisë Rama, dhe i ministrit Panariti është i qartë për ta shndërruar bujqësinë në një motor kryesor të rritjes ekonomike në vend dhe njëkohësisht në rritjen e punësimit. Jemi në rrugën më të drejtë”, tha Meta.
“Dua të përgëzoj ministrin Panariti për punën shumë të mirë për të rikrijuar besimin tek partnerët tanë që së shpejti të fillojë edhe eksporti i vezëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të bëjë të mundur dyfishimin e kapacitetit të prodhimit, por edhe do të sigurojë nevojat e vendit njëkohësisht do të sigurojë një mundësi të shkëlqyer për të fituar nga eksporti edhe për ekonominë tonë kombëtare”-tha Meta/ Ai vuri ne dukje se, ministria i ka zgjidhur pengesat e deritanishme për të hapur tregjet evropiane. Do të jetë e shpejtë dita kur këto vezë do të shkojnë edhe në tregun gjerman dhe gjithë tregun e BE. Do ndihemi mirë kur të shohim atje vezë “made in Albania”.
“Ne i kemi të gjitha resurset, me më shumë mbështetje nga shteti jam i bindur që shumë shpejt Shqipëria do të ketë një burim shumë të mirë të të ardhurave nga eksporti”, -u shpreh Meta.
Panariti: Me hapjen e eksporteve Shqipëria do të prodhojë 600 milionë koka në vit, nga 300 milionë që është aktualisht
Kreu i Bujqesise Panariti, u shpreh se me hapjen e eksportit të vezëve Shqipëria do të prodhojë 600 milionë kokë në vit, nga 300 milionë që është aktualisht.
“Shqipëria është gati për të hapur eksportin për vezën e freskët në Bashkimin Evropian dhe podhimi i vezëve të Shqipërisë do të njohë një prespektivë të re në tregun ndërkombëtar”, tha ministri Panariti.