Xi takohet me May-in, bën thirrje për lidhje më të mira kino-britanike në epokën e re
Presidenti kinez Xi Jinping, u takua të enjten me kryeministren britanike Theresa May. Ai u bëri thirrje të dy vendeve për të ngritur më tej partneritetin dypalësh të “Epokës së Artë”.
Gjatë takimit të tyre në rezidencën qeveritare “Diaoyutai”, Xi Jinping-u i tha Theresa May-t se të dy vendet duhet t’u përgjigjen nevojave të fazave të tyre zhvillimore dhe nxitin bashkëpunimin dypalësh.
“Gjendja e tanishme ndërkombëtare po kalon ndryshime të thella dhe të ndërlikuara. Kina dhe Britania kanë përgjegjësi të posaçme për trajtimin e sfidave të përbashkëta me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Kina është e gatshme të punojë me Britaninë për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të lidhjeve dypalëshe në epokën e re, me synim për t’u sjellë më shumë përfitime popujve të të dy vendeve dhe për të kontribuar për mirëqenien dhe stabilitetin në botë”, tha kreu kinez.
Ai shtoi se nisma “Një brez, një rrugë” funksionon sipas rregullave të tregut dhe rregullave ndërkombëtare, me parimin e konsultimeve të gjera, kontributit dhe përfitimeve të përbashkëta.
Duke shkuar në një linjë me presidentin Xi Jinping, kryeministrja May u shpreh e gatshme për të nxitur me Kinën partneritetin strategjik global:
“Të dy palët janë lojtarë të rëndësishëm të skenës botërore dhe dy vendet tona të hapura ndaj botës. Ne jemi anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendoj, siç thoni edhe ju, do të ketë fusha në të cilat ne mund të punojmë së bashku. Jam shumë e kënaqur që ndodhem këtu në Kinë për të nxitur më tej partneritetin strategjik global që kemi vendosur midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës”.
Si mbrojtëse e tregtisë së lirë, kryeministrja May tha se Britania është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën në fusha të ndryshme, si dhe të rrisë më tej koordinimin për çështjet kryesore globale dhe rajonale, duke nxitur bashkërisht partneritetin strategjik gjithëpërfshirës global Kinë-Britani të shekullit të 21-të.
Kjo është vizita e parë zyrtare e May-t në Kinë që kur ajo mori detyrën në vitin 2016.